Polici Behrami dëshmon për sulmin në Banjskë: E kuptuam se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal

Aktuale

Polici Behrami dëshmon për sulmin në Banjskë: E kuptuam se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal

Më: 22 korrik 2025 Në ora: 06:47 Përditësuar në ora: 12:49 më 22.07.2025
Foto ilustrim

Roja i hotelit “Rajnska Banjska” rrëfen se si u dërgua një i plagosur aty ditën kritike, thotë se Radoiçiqi vizitoi një herë hotelin

Dëshmitari Rade Nedelkoviq- i cili ishte roje në hotelin “Rajnska Banjska”, gjatë dëshmisë së tij të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, tregoi se si katër persona e kishin sjellë ditën kritike një të plagosur në hotel.

Prokurori special Naim Abazi fillimisht theksoi se dëshmitari Nedelkoviq në Prokurori kishte deklaruar se në ditën kritike kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, kishte dalë 50 herë nga hoteli për të parë se çfarë po ndodhte.

Nedelkoviq tha se aty nuk kishte parë veturë, por disa persona të uniformuar, tha se i kishte paralajmëruar të largohen nga tarraca e hotelit ngase dikush mund t’i vriste dhe më pas ishin larguar.

I pyetur lidhur me deklaratën e tij se në ditën kritike rreth orës 16:30 në hotel ‘Rajnska Bansjka’ kanë hyrë persona të armatosur që e bartnin një person të plagosur dhe se a kishin ndonjë emblemë apo shenjë që tregon se cilit grup i takonin, dëshmitari tha se s’kishin pasur diçka të tillë.

Lidhur me personin e plagosur, ai tha se kishte mbetur të flinte në një dhomë, ndërkaq dëshmitari të nesërmen kishte shkuar në shtëpi, andaj nuk e di se çfarë ka ndodhur.

Ai deklaroi se pasi kishin lënë të plagosurin, disa persona ishin nisur në drejtim të Manastirit në këmbë.

Lidhur me deklaratën e tij se përpara se të pranonte personin e plagosur në hotel i kishte telefonuar shefi i tij Ivan Filiminoviq dhe i kishte thënë ta strehonin atë person aty, Nedelkoviq tha se Filiminoviq nuk e ka urdhëruar, por vetëm i kishte thënë që t’ia jepte dhomën numër 6.

“Nuk më ka thënë kush ka qenë në Kragujevc, këtë e kam kuptu pas disa dite”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se kishte folur edhe me një koleg të tij i cili ishte polic hetues në Mitrovicë, ndërkaq shtoi se lista e mysafirëve ka qenë në recepsion, e cila sipas tij mbetet tek evidenca e klientëve sa ditë qëndrojnë aty.

Duke u ballafaquar me deklaratën e dhënë në Prokurori, Nedelkoviq tha se nuk e njeh personin me emrin Sliviq dhe se nuk e di nëse djali i tij ka marrë pjesë në sulm, por meqenëse ka qenë atje beson se po.

Personat që e sollën të plagosurin në hotel, ai tha se kishin hyrë tek hyrja e dytë dhe jo tek ajo kryesore.

“Unë kam qenë i detyruar t’i lëshoj se kanë qenë të armatosur, nuk kam guxuar të refuzoj. Pra, dy kanë mbetur e dy janë larguar, domethënë i plagosuri dhe një tjetër kanë mbetur”, shtoi dëshmitari.

Ndërkaq, i pyetur lidhur me personat që kanë qenë të përfshirë në sulm, ai tha se nuk e di se kush ka qenë ngase kanë pasur maska.

Prokurori e pyeti se a kanë qenë Vladimir Andriq dhe Vladan Iliq, dëshmitari Nedelkoviq tha se nuk i kujtohet se i ka përmendur dhe as nuk i ka parë ata.

Kurse, për Milan Radoiçiqin, ai tha “vetëm kam dëgjuar, kurë nuk e kam pa. Ka qenë një herë në hotel sepse edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe”.

“A mendoni se ka qenë organizator i këtij grupi”, e pyeti prokurori Abazi.

“Çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka pranuar”, u përgjigj Nedelkoviq, duke shtuar se e dini se kush janë personat që i kanë ndihmuar Radoiçiqit.

Nedelkoviq tha se si roje i objektit mund të pranojnë mysafirë, por nuk kanë të drejtë të shkruajnë evidencën, për këtë tha se e ka thirrë recepsionisten, andaj nuk e di se çfarë ka bërë ajo.

Në ditën kritike të 24 shtatorit 2023, dëshmitari tha se kishte filluar punën në orën 21:30 dhe se kishte qëndruar dy ditë. Tha se ka punuar si roje në hotel Rajnska Banjska.

Lidhur me rastin, ai shtoi se ishte dëgjuar një zhurmë e madhe dhe të gjithë klientët që ishin në hotel kishin zbritur poshtë, e që ai është dashur të kujdeset për të gjithë.

“Janë sjellë rreth xhamave dhe unë ju kam thënë largohuni se dikush mund të ju gjuaj, janë largu më larg dhe kanë dëgju atë”, tha Nedelkoviq.

Ai tha se drejtuesi i hotelit Marko Saviq atë natë nuk ka qenë në hotel. Tha se rreth orës 16:30 kishin shkuar katër persona të armatosur jashtë hotelit dhe se ai i kishte larguar e që nuk kishin hyrë në hotel.

Sipas tij, të lartpërmendurit nuk ishin ata që e kishin dërguar personin e plagosur në hotel. Më pas, tha se personi i plagosur ishte sjellë në orën 4:30 në mëngjes dhe se personat që e sollën të plagosurin nuk i ka njohur dhe që ata kishin maska.

Dëshmitari u pyet lidhur me deklaratën që ka dhënë në Prokurori se njëri prej personave që e sollën të plagosurin ishte djali i një futbollisti me emrin Sliviq.

“Nuk e di saktë a kam dëgjuar, por më kanë kërkuar t’i evidentoj që të mos jap përgjegjësi për ta por të japin përgjegjësi për vete, ka qenë korrekte nga ana e tyre”, tha Nedelkoviq.

Për personin me emrin Sliviq, ai tha se ka mundësi ta ketë përmendur, por që edhe ka mundësi të mos ketë dëgjuar mirë.

Për shefin Ivan Filianoviq dhe kërkesën e tij që i plagosuri të akomodohej në dhomën numër 6, ai tha se e dinte që dhoma është e lirë ngase ka qenë vazhdimisht në kontakt me recepsionisten. Kurse, personi tjetër tha se ishte vendosur në dhomën 3.

Drejtorin Marko Saviq ai tha se e kishte thirrë me kërkesë të një hetuesi, por që nuk kishte biseduar me të.

Lidhur me deklaratën e dhënë në Prokurori, dëshmitari tha se nuk i është lexuar fjalë për fjalë në gjuhën serbe, por vetëm deri diku, e që beson se e ka kuptuar.

Nedelkoviq tha se sot është hera e katërt që po dëshmon për këtë rast. Tha se për Vlastimir Andriqin nuk e ka pyetur askush, por që e kishte fqinj.

Dëshmitari shtoi se Dushan Maksimoviqin e njeh që është nga Banjska dhe se sipas tij është djalë shumë i mirë.

“Ai ka punu në mirëmbajtje të ngrohjes dhe ftohjes, ka punuar gjithçka. Askund nuk e kam përmend (Dushanin), as nuk më kanë pyet as nuk kam pas nevojë ta përmend”, tha ai.

Nedelkoviq shtoi se para 24 shtatorit e ka parë çdo ditë ngase ai punonte në banjë e dëshmitari në hotel. Tha se Dushani kishte marrë pjesë edhe në ndërtimin e hotelit.

“Më 24 shtator, ai ka qenë në Suhadoll ku kanë bërë një vikendicë”, tha ai.

Më pas, dëshmitarit iu paraqitën disa foto. Tha se uniforma e Dushanit nuk i ka ngjarë asaj të hotelit, por ka qenë më ndryshe.

Prokurori Abazi më pas i tha se në fillim të seancës Nedelkoviq deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori, ku ka pasur edhe përkthyes dhe ka ka video-incizim. Tha se deklarata është nënshkruar në secilën faqe.

“T’ju them të drejtën as nuk e kam lexuar”, tha Nedelkoviq.

Meqenëse dëshmitari tha se villa ku ka qëndruar Dushan Maksimoviq ishte në Suhadoll dhe se e njëjta ishte e dhëndrit të tij, përmes fotografisë iu kërkua të identifikojë nëse bëhet fjalë për villën e njëjtë.

“Këta janë komshinjtë e mi, i njoh. Vendi po, ky është konejneri, fotografia e dytë është e saktë”, pohoi ai.

Dëshmitari Nedelkoviq në rastin “Banjska”: U detyrova t’i lejoja të futeshin në Hotel, ishin të armatosur

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po vazhdon gjykimi në rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, e cila po e përcjell seancën, raporton se dëshmitari Rade Nedelkoviq, që punonte në hotelin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, ka dhënë detaje nga ky rast.

“Ata kanë hyrë te dera e dytë, jo te dera kryesore. Unë kam qenë i detyruar t’i lë se kanë qenë të armatosur, s’kam guxu me i thanë jo. Ka mbet i plagosuri dhe një tjetër”, ka thënë mes tjerash, Nedelkoviq.

I pyetur nëse e njeh Milan Radoiçiqin, organizatorin e vetëdeklaruar kryesor të sulmit terrorist dhe agresionit në Banjskë, dëshmitari tha: “Kam dëgjuar për të, por kurrë s’e kam parë”.

“Mendoj që një herë ka qenë” në hotelin “Rajska Banja”. “Se ai edhe nëse vike, vike disi më ndryshe”.

Ai është pyetur nëse Radoiçiqi ka qenë organizator i grupit.

“Po, ai vetë e ka pranuar, pa marrë parasysh çka mendoj unë”, ka thënë mes tjerash dëshmitari Rade Nedelkoviq.

Të tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

Polici Behrami dëshmon për sulmin në Banjskë: E kuptuam se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal

Në seancën e së martës në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, zyrtari policor- dëshmitari Halim Behrami, tha se në natën kritike kur ndodhi sulmi, e kuptuan se nuk kishin të bëjnë me një grup të thjeshtë kriminal, por një grup të mirëorganizuar dhe se në sulm u përdorën armë të kalibrave të ndryshëm.

Fillimisht, prokurori special Naim Abazi e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohen deklaratat e dhëna lidhur me rastin, për çka dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I pyetur se cilat ishin detyrat e tij më 23 dhe 24 shtator 2023 dhe nga kush i ka marrë urdhrat për t’u vendosur në pikën në fshatin Banjskë, Behrami tha se vitet e fundit punon si polic hetues në Njësinë e Trafikut në Mitrovicë dhe se rreth orës 02:00 të natës kritike, në njësinë kufitare kishin marrë informacion se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.

Pas kësaj, tha se dy njësi kanë vazhduar në Zveçan dhe pas 2-3 minutash ai dhe dy kolegë, pak para se të hynin në fshat ishin takuar me ata, e kishin ndal një veturë dhe pasi e kontrlluan vazhduan së bashku në drejtim të Banjskës.

Behrami tha se kishin qenë tri vetura të policisë, në të dytën ishte rreshteri Afrm Bunjaku dhe një tjetër zyrtar policor. Kurse, në të tretën ishte ky dhe Avni Shala.

Sipas tij, pasi arritën në Banjskë- vetura e parë ishte ndalë afër barrikadës, kurse e dyta 30 metra larg saj. Tha se tek barrikada ka qenë edhe një veturë e njësisë kufitare.

“Jemi dalë prej veture, policët që kanë qenë në veturën e parë veç kanë arrit te barrikada, ne jemi afru diku 15 metra afër barrikadës dhe në atë moment polici Elez Peci më ka tërheq vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi fillu me u shpërnda”, tha Behrami.

Sipas tij, tek vendi ku ishte barrikada ishte ndriçim i plotë, ndërsa në fshat errësirë totale.

“Posa kanë fillu me u shpërnda është dëgju një shpërthim i madh, policët që kanë qenë afër barrikadës janë barrikadu aty afër barrikadës, ndërsa unë dhe Avni Shala jemi kthy prapa veturës sonë dhe jemi barrikadu prapa saj si mburojë”, tha Behrami.

Polici shtoi se në të njëjtën kohë, kishte shpërthime dhe të shtëna me armë të ndryshme.

“Menjëherë e kemi kuptu se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal”, tha ai, duke shtuar se këtë e kuptuan nga pozita ku qëndronin sulmuesit dhe armët që përdornin.

Ai tha se sapo ishin barrikaduar, ka parë se rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë.

“Ne ishim diku 30 metra larg dhe terreni ishte i hapur, e kishim të pamundur me u afru. Nga ajo pozitë ku ishim, Avni Shala e ka kthyer zjarrin pasi kishte një armë automatike, të shtënat vazhdonin pa ndërprerë në drejtim tonin. Kemi pa kolegë tjerë t’u e largu rreshterin nga rruga dhe e kanë vendos në veturën Toyota dhe e kanë nisë në drejtim të Mitrovicës”, tha Behrami.

Sipas tij, edhe policët Sedat Shala dhe Fahri Shala ishin tërhequr me një blindë nga një njësi për reagim të shpejtë. Gjithashtu, tha se nga fshati Izvor kishte shkuar një autoblindë e reagimit të shpejtë të Ferizajt.

Polici tha se ai kishte hyrë në autoblindë, kurse Avni shala kishte vazhduar me veturë në drejtim të Zveçanit.

Prokurori e pyeti nëse sulmi në fjalë sipas tij ishte i zakonshëm apo sulm i mirëorganizuar me qëllim të ndonjë akti terrorist. Po ashtu, e pyeti për llojin e kalibrit të armëve që kishin përdorë sulmuesit.

Por, kjo pyetje u kundërshtua nga avokati Millosh Deleviq, me arsyetimin se është sugjestive. Megjithatë, pyetja u lejua nga gjykata.

“Në bazë të armëve të përdorura nga zhurma, kanë qenë kalibra të ndryshëm, gjithashtu ka pas gjuajtje me armë më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosur ishte errësirë e plotë në fshat, na ka bërë të kuptojmë se janë një grup i organizuar që kanë pas qëllim me bë dëm sa më të madh”, tha Behrami.

Ai deklaroi se meqë ishte errësirë, nuk kanë mundur të vërejnë ndonjë person apo automjet, por që tek Manastiri kishte drita.

Polici tha se dëmi më i madh për ta është humbja e kolegut Afrim Bunjaku, por që ai personalisht tha se nuk ndihet i dëmtuar bazuar në detyrat e punës.

“Kam 21 vite përvojë pune në Polici, raste të tilla nuk kam has gjatë karrierës sime në përgjithësi”, tha Behrami, duke shtuar se qëndron pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori. Gjithashtu, ai përsëriti se konsideron se grupi ishte i mirëorganizuar për shkak të vendit ku ishin pozicionuar sulmuesit, barrikadat, fakti që policët kanë qenë në pjesën ku ishte e ndriçuar ndërsa fshati në errëristë, përdorimi i eksplozivit, mortajave të dorës, kalibra të shumtë të armëve automatike dhe nga zhurmat e kanë kuptuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një lloj të armës.

“Zakonisht, në ballafaqime me grupe kriminale, qëllimi i tyre është të shpëtojnë nga policia, por jo të barrikadohen, ky s’ka qenë një rast i tillë, kanë qëndruar për të na sulmuar, sigurisht pasi kanë arritur njësitet speciale, janë detyru me u largu”, tha Behrami.

Ai tha se për shkak të errërsirës, nuk kanë parë pjesëtarë të grupit që janë nis në sulm, por vetëm kanë dëgjuar të shtëna dhe kanë vërejtë lëvizje të veturave.

“Së pari është vendos eksploziv, pastaj kur ka ardhë autoblinda e reagimit të shpejtë ne jemi goditë nga një predhë e murtajës, predha ka rënë afër veturës sonë. Gjithashtu, zhurmët e armëve kanë qenë të ndryshme”, deklaroi polici, duke shtuar se punon që 5 vite në Zveçan.

Në këtë seancë, u bë e ditur se dëshmitarja Dragana Antonjeviq, që ishte planifikuar të dëgjohet, nuk do të dëgjohet sot për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit dhe se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se nuk ndihet mirë me shëndet.

Seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit tjetër.

Nis seanca në rastin “Banjska”, pritet të dëgjohen dy dëshmitarë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe të martën po vazhdon gjykimi ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Në këtë seancë pritet të dëgjohen dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq.

Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2. Kurse, ajo e 21 korrikut u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim F1, në mënyrë që të mbrohej identiteti i dëshmitarit dhe procedurës penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat