Zjarr i qëllimshëm, video “zbulon” fajtorin/ Policia arreston 42-vjeçarin

Aktuale

Zjarr i qëllimshëm, video “zbulon” fajtorin/ Policia arreston 42-vjeçarin

Nga: Bota sot Më: 26 korrik 2025 Në ora: 23:32
Ilustrim

Në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut ka shpërthyer një zjarr, i cili rrezikoi shtëpi dhe automjete. Reagimi i shpejtë i policisë dhe zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e tij pa pasoja të mëdha.

Pas hetimeve, u sigurua një video ku shihej një person duke ndezur zjarrin me qëllim. I dyshuari, Z.M. (42 vjeç), u arrestua dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Zjarrvënie”.

"Me datë 26.07.2025, rreth orës 15:55, Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut ka pranuar një informatë për një zjarr të shpërthyer në lagjen "Kodra e Minatorëve".

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Thirrjes i është përgjigjur edhe njësia e zjarrfikësve, të cilët, në bashkëpunim me policinë, kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin.

Zjarri kishte rrezikuar disa shtëpi të banimit si dhe automjete që ndodheshin në afërsi, por për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë të autoriteteve, është shmangur përhapja dhe dëmtimi i mundshëm.

Lidhur me rastin, njësitë përkatëse të hetimeve të Stacionit Policor në Mitrovicën e Veriut kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shkaktimit të zjarrit. Pas një pune të shpejtë operative dhe hetimore, është siguruar një video-incizim ku shihet një person duke i vënë zjarrin barishtes me qëllim.

Personi i dyshuar është identifikuar si Z.M., 42 vjeç, i cili është arrestuar në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. I njëjti do të hetohet për veprën penale “Zjarrvënie”.

Policia e Kosovës u bën apel të gjithë qytetarëve që të shmangin veprimet e rrezikshme si ndezja e zjarreve në hapësira të hapura, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës, pasi ato paraqesin rrezik serioz për jetën, pronën dhe ambientin.

Gjithashtu, inkurajojmë qytetarët që në rast të vërejtjes së ndonjë veprimi të tillë, menjëherë ta lajmërojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, ose përmes kanaleve të tjera zyrtare të komunikimit.

Bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale", thuhet në njoftimin për media.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat