Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, që jeton dhe vepron në SHBA, Faton Bislmi ka reaguar ashpër ndaj ngërçit të zgjatur politik dhe dështimit për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar situatën si “dështim zinxhiror” që po i shkakton dëm të madh vendit.
Në një deklaratë publike, Bislimi theksoi se kalimi i barrës së vendimmarrjes politike tek Gjykata Kushtetuese është tregues i mungesës së përgjegjësisë nga ana e liderëve politikë.
“ Kur barra e përgjegjësisë dhe vendimmarrjes politike i kalohet gjyqësorit (respektivisht Gjykatës Kushtetuese), kjo nënkupton se akterët politikë në vendin tonë, dhe të zgjedhurit e popullit, u vetzhveshën nga i vetmi obligim kushtetues, ligjor, e besa edhe moral, që ua ka besuar populli ynë--atë të vendimmarrjes!
Kuvendi nuk është arenë sfilatash politike e kacafytjesh mes egove të individëve; ai është tempull i shërbimit ndaj popullit e shtetit”, shkruan Bislimi në një postim në Facebook.
Ai e quajti Kuvendin jo një “arenë sfilatash politike e kacafytjesh mes egove të individëve”, por “tempull të shërbimit ndaj popullit dhe shtetit”.
Bislimi kritikoi ashpër faktin që, sipas tij, shumë politikanë po vendosin interesat personale apo partiake para interesit të Kosovës:
“Askush që ka marrë mandat politik nga populli nuk do duhej të vendoste asnjë interes tjetër para atij të Kosovës.
Kosova duhet të jetë mbi të gjitha e mbi të gjithë. Kosova e para! Tjerat janë krejt sekondare. Politika nuk është test i pandryshueshmërisë, por art i fleksibilitetit që ofron zgjidhje!”, u shpreh ai.
Sipas tij, politika nuk duhet parë si ngurtësi ideologjike, por si “art i fleksibilitetit që ofron zgjidhje”.
Duke e përmbyllur deklaratën e tij, ai bëri thirrje për një mentalitet të ri politik dhe për një veprim të menjëhershëm në funksion të progresit të vendit dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të.
“Jam thellësisht i indinjuar nga dështimi zingjiror disa mujor i konstituimit të Kuvendit. Dëmi ndaj Kosovës është madhor, dhe vetëm një mendësi e re që vendosë Kosovën të parën e çonë vendin tonë në rrugën e duhur të progresit dhe shtetndërtimit të suksesshëm, në partneritet të palëkundur me SHBA-të.
Koha për veprim e për realizim përfundimtar të amanetit të shumë burrave e grave më të mirë të kombit është tani. Kosova e Para është zgjidhja!”, përfundoi Bislimi.