Grupi punues për hartimin e Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga z. Arian Gashi, ka mbajtur sot një takim pune, në të cilin është finalizuar drafti i këtij akti të rëndësishëm nënligjor.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e KPK-së, Prof. Ass. Dr. Dardan Vuniqi dhe z. Visar Krasniqi, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, z. Sami Istrefi, përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), si dhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Gjatë këtij takimi grupi punues ka finalizuar draft-Rregulloren, e cila synon të krijojë një kuadër të qartë dhe të harmonizuar me Ligjin e ri për KPK-në, me fokus në garantimin e një procesi të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar në meritë për përzgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Drafti përfundimtar i Rregullores përfshin edhe komentet e pranuara me shkrim nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si dhe komentet e ofruara nga pjesëmarrësit e tjerë nga dy takimet e fundit, duke reflektuar kështu një qasje gjithëpërfshirëse dhe konsultative në hartimin e tij.
Draft-Rregullorja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit institucional të KPK-së dhe garantimit të përfaqësimit të drejtë dhe gjithëpërfshirës në sistemin prokurorial të Kosovës.