“Rrëzojeni Albinin dhe sillni opozitën në pushtet”- Shala thotë se vetëm kështu “plotësohet” ëndrra e Serbisë për ndarjen e Kosovës

Aktuale

“Rrëzojeni Albinin dhe sillni opozitën në pushtet”- Shala thotë se vetëm kështu “plotësohet” ëndrra e Serbisë për ndarjen e Kosovës

Nga: M.L. Më: 30 korrik 2025 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar për zhvillimet e djeshme ku FSK shkoi në veri për një mision kërkim shpëtimi.

Më konkretisht Guerot komentoi çështjen e disa fotografive që u përdorën “politikisht”, e ku u raportua se KFOR që po e shoqëronte FSK-në nuk shihej.

Ambasadori i Francës në “x”, tha se “manipulimi i informacionit po bëhet sistematik”.

“Mbështetja e plotë e Francës për KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurinë e të gjithëve. KFOR meriton respektin dhe njohjen e të gjithë palëve të interesuara në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë atij gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike. Gjithashtu, shpreh respekt për mediat që raportuan me saktësi rolin e KFOR-it në përpjekjet për të gjetur trupin e personit të zhdukur nga Liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar veprimtari shqiptaro-amerikan Hafiz Shala, i cili i është drejtuar ambasadorit duke ia kujtuar marrëveshjen e Kumanovës.

Ai ka thënë se e vetmja mënyrë për ta realizuar ndarjen e Kosovës është rrëzimi i Kurtit dhe ardhja e opozitës në pushtet.

“Ambasador, Franca ishte ajo që, në Marrëveshjen e Kumanovës, e kushtëzoi pjesëmarrjen në forcat e KFOR-it vetëm nëse ju lejohej t’i vendosnit ato në veri të urës. Ambasador, ajo ishte një kërkesë shumë qëllimkeqe. Prandaj, ajo për të cilën jeni angazhuar atëherë dhe edhe sot, në mënyrë perfide, për interesat e Serbisë dhe ndarjen e Dardanisë, nuk do të kalojë, Ambasador.

E vetmja mënyrë për ta realizuar këtë ëndërr tuajën dhe të Serbisë është: rrëzojeni Albinin dhe sillni opozitën në pushtet.

Por, Ambasador, populli kurrë nuk do ta pranojë, me asnjë kusht dhe për asnjë çmim.”, është shprehur Shala.

Shala ka thënë se shteti është i vetëdijshëm për rolin e KFOR-it.

“FSK-ja është ushtri e Republikës së Dardanisë, e cila, sipas panikut tuaj, nuk ka shkelur në territor të Serbisë, por në të Dardanisë.

Shteti është i vetëdijshëm se, përderisa KFOR-i është zotuar se do t’i mbrojë kufijtë, nuk do t’i ndërhyjë. Por, nëse nuk mjaftojnë forcat e KFOR-it për të ndalur ndonjë tentim ndërhyrjeje nga Serbia, besomëni se nuk ka marrëveshje që do ta ndalojë ushtrinë Dardane ta mbrojë popullin dhe kufijtë e vet”, ka përfunduar Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat