Punëtorët e KOSTT-it (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut) protestuan sot para objektit qendror të kësaj kompanie në Prishtinë, duke kërkuar rritje të pagave.
Rritje e menjëhershme e pagave, rrezikshmëria të njihet dhe të paguhet, kompensimi i orëve jashtë orarit siç e kërkon ligji, ishin kërkesat kryesore të punëtorëve të KOSTT-it, e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve.
“Rrezikshmëria në punë”, “Orët e kompensuara”, “Udhëtimet zyrtare”, “Sistematizimi”, “Konkurset e brendshme”, “Ndal padrejtësive dhe diskriminimit në KOSTT”, janë disa nga mbishkrimet në pankartat që protestuesit mbajtën në duar derisa shprehën pakënaqësitë e tyre.
Kryesindikalisti, Arben Pllana tha se punëtorët e KOSTT-it kërkojnë rritje reale dhe të merituar të pagave.
Pllana theksoi se kanë kërkuar njohjen e rrezikshmërisë në përputhje me ligjin, por sipas tij janë përballur me heshtje dhe neglizhencë. Ai tha se rreziku është real dhe duhet të kompensohet.
Një tjetër kërkesë e tyre, Pllana tha se është pagesa për punën jashtë orarit.
Pllana: Kërkesa e parë është rritja e menjëhershme e pagave
"Kërkesa e parë është rritja e menjëhershme e pagave. Të anulohet vendimi i cili na kanë diskriminuar për shkak se nivel të Kosovës ne nuk kemi pasur rritje. Jemi dëshmitarë të krizës ekonomike, por çmimet janë rritur në çdo gjë...Por pagat tona kanë mbetur vetëm numra. Kërkojmë rritje reale dhe të merituar të pagave tona... Kërkesa e dytë është rrezikshmëria të njihet dhe të paguhet. Punëtorët tonë janë në rrezik...Kemi kërkuar njohjen e rrezikshmërisë në bazë të ligjit në standardet, por kemi hasur në heshtje të neglizhuar...Kërkesa e tretë është kompensimi i orëve jashtë orarit, siç e parasheh ligji", Pllana.
Pllana potencoi se për shkak të pagave të ulëta dhe diskriminimit që po u bëhet, shumë ekspertë po largohen nga KOSTT-i. Sipas tij, pa ekspertë, nuk ka sistem të qëndrueshëm.
Ai paralajmëroi se, nëse brenda një jave nuk ka reflektim nga ana e menaxhmentit, do të pasojnë protesta të vazhdueshme dhe grevë.
Pllana: Ikja e ekspertëve alarm më i madh për KOSTT-in, shkak pagat e ulëta
"Ikja e ekspertëve alarm më i madh për KOSTT-in. Për shkak të pagave të ulëta dhe diskriminimit që po u bëhet profesionistëve të ndershëm, shumë ekspertë po largohen nga KOSTT-i. Po ikin sepse këtu nuk vlerësohen. Po ikin sepse trajtohen me padrejtësi! Po ikin sepse KOSTT-i po udhëhiqet me logjikën “rregullo veten, harro punëtorin!”. Kjo duhet të ndalet! Pa ekspertë, nuk ka sistem të qëndrueshëm...Nëse nuk ka reflektim, protestat dhe grevat do t'i vazhdojmë. Ne nuk jemi këtu për një ditë. Nëse brenda një jave nuk ka asnjë reflektim nga bordi i drejtorëve apo menaxhmenti, ne do të dalim sërish në protestë, me më shumë zë, me më shumë punëtorë. Dhe nëse prapë nuk reflektojnë, do të shkojmë në grevë të përgjithshme", tha Pllana.
Edhe kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica theksoi se është e domosdoshme që kuadrot profesioniste të mbahen brenda sistemit energjetik, duke i quajtur ata asetet kryesore të kompanisë.
Ai tha se pa punonjësit nuk mund të ketë energji dhe i bëri thirrje bordit të KOSTT-it që të ulet në bisedime me sindikatën për të negociuar rritjen e mirëqenies së tyre.
Llumnica shtoi se janë të vetëdijshëm për ndikimin e inflacionit dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave dhe grevave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Llumnica: Ne do të vazhdojmë me protestë e grevë deri në realizimin e kërkesave që i kemi
“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që t’i ruajmë këto kuadro brenda sistemit energjetik. Ju jeni aseti kryesor i kësaj kompanie. Pa juve nuk mund të ketë energji. I bëjmë lutje menaxhmentit dhe bordit të KOSTT-it të bisedojnë me sindikatën dhe të negociojnë për ngritje të mirëqenies. E dinë që inflacioni ekziston...Ju bëjë thirrje që të merrni dhe të uleni për kërkesat e sindikatës përndryshe ne do të vazhdojmë me protestë e grevë deri në realizimin e kërkesave që i kemi. Nuk mund të arsyetoheni, siç po e bëni. Gjoja se nuk mund të rritet paga punëtorëve të KOSTT-it për arsye se janë të rregulluara nga ZRRE-ja. ZRRE-ja po e ngritë çmimin tek qytetarët, po mundet, a pagat nuk po paska mundësi. Kjo është e turpshme”, tha Llumnica.