Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Komunën e Gjilanit, ku tre persona mbetën të vrarë nga tre të dyshuar që tashmë janë shpallur në kërkim.
“Thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë sot në Komunën e Gjilanit, ku tre qytetarë mbetën të vrarë nga tre të dyshuar të cilët tashmë janë shpallur në kërkim. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet,” ka shkruar ai.
Sveçla ka shprehur indinjatën e tij të thellë për mënyrën se si, sipas tij, sistemi i drejtësisë po i trajton rastet e rënda penale.
Ai ka kujtuar se i dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje ishte arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, por ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë.
Postimi i plotë:
Thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë sot në Komunën e Gjilanit, ku tre qytetarë mbetën të vrarë nga tre të dyshuar të cilët tashmë janë shpallur në kërkim. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet.
Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot.
Është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale. Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar.