Drenori: Nëse VV nuk formon Qeverinë, alternativa e vetme janë zgjedhjet

Aktuale

Drenori: Nëse VV nuk formon Qeverinë, alternativa e vetme janë zgjedhjet

Më: 14 gusht 2025 Në ora: 06:36
Xhavit Drenori

Analisti politik, Xhavit Drenori, ka komentuar ngërçin politik që është krijuar në vend pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për formimin e institucioneve. Ai tha se problemi qëndron tek pozicionet e palëvizshme të partive kryesore.

“LDK-ja nuk e jep votën nëse kandidati për kryeministër nuk është Lumir Abdixhiku. Në anën tjetër, PDK-ja nuk lejon që të shkilet nga një subjekt i tretë, vetëm e vetëm që ta nxjerrë VV-në në opozitë për 5 ose 6 muaj. Prandaj ky është ngërçi, ky është problemi real, realisht,” u shpreh Drenori.

Ai theksoi se, në këtë situatë, mundësitë për një zgjidhje tjetër janë minimale.
“Problemi është se nëse VV-ja nuk e bën qeverinë, unë nuk po besoj që ka me pas alternativë tjetër përveç se me shku në zgjedhje. Pra, kjo është rruga e vetme që do të mbetet e hapur nëse nuk arrihet marrëveshje,” deklaroi ai.

Drenori gjithashtu mohoi se ngërçi është shkaktuar nga veprimet individuale të ndonjë politikani të vetëm.
“Unë nuk besoj që problemin e ka çuar Albulena Haxhiu deri këtu. Nuk besoj që as VV-ja, e as partitë e tjera, e kanë kalkuluar ndryshe nga ajo që po ndodh sot. Por, ndryshe ju ka dal. Ky është realiteti politik me të cilin po përballemi,” përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat