Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, e ka quajtur “gabim të madh” mosvotimin e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit.
Ai tha se Rashiqi është kandidati i vetëm serb që e pranon shtetësinë e Kosovës dhe mbështet institucionet, prandaj refuzimi i tij është “gabim i dyfishtë”: humbja e një figure konstruktive dhe bllokimi i konstituimit të Kuvendit.
Salihaj paralajmëroi se dhënia e shansit Listës Serbe për ta marrë këtë post do të ishte gabim edhe më i madh, duke e cilësuar këtë subjekt si destruktiv dhe të lidhur me struktura antishqiptare.
Postimi i plotë:
Mosvotimi i Nenad Rashiqit për nënkryetar, gabim shumë i madh i deputetëve. Votimi i një nënkryetari të kuvendit nga radhët e komunitetit serb është i pashmangshëm, sepse kushtetuta e përcakton këtë çështje. Duke marrë parasysh se Lista serbe e propozoi tri herë të njëjtin kandidat, ndërsa ai nuk i mori votat e duhura, u zgjodhën kandidatët me short. Në mesin e tyre qe edhe Nenad Rashiqi, i vetmi që i pranon institucionet dhe shtetësinë e Kosovës. Mosvotimi i tij qe gabim i dyfishtë. Nuk u votua një kandidat konstruktiv që përkrah shtetësinë e Kosovës dhe sërish u bllokua konstituimi i kuvendit. Nëse edhe nesër ndodhë e njëjta gjë, atëherë është i pavlerë procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve tjerë, sepse Kuvendi sërish konsiderohet i pakonstituuar. Sa i përket kushtetutës, ajo nuk është shumë e qartë te çështja e zgjedhjes së kandidatëve me short, sepse nuk e përcakton që ata duhet të jenë nga partia që ka fituar shumicën, por thuhet nga deputetët e komunitetit serb. Nëse duam ta përkrahim rrymën e serbëve që e pranojnë shtetësinë e Kosovës, atëherë votimi i Rashiqit është veprimi i duhur. Të gjithë e dijmë destruktivitetin e Listës serbe dhe lidhjet e saj me strukturat terroriste antishqiptare, prandaj dhënia e shansit kësaj organizate që ta ketë nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës do të ishte gabim i madh .