Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka shpallur sot thirrjen për aplikim për Çmimin për Shkrimin dhe Raportimin më të Mirë në Gazetari për Sektorin Financiar, me qëllim të promovimit të gazetarisë cilësore dhe të informimit të saktë në fushën e ekonomisë.
Ky çmim synon të vlerësojë dhe shpërblejë gazetarët që kontribuojnë në informimin publik rreth sistemit financiar në Kosovë përmes analizave të thelluara, hulumtimeve të bazuara dhe raportimeve profesionale në media të ndryshme.
Kategoritë e çmimit për vitin 2025 përfshijnë:
Shkrimi më i mirë i publikuar në gazetë (fizike apo në PDF)
Shkrimi më i mirë i publikuar në media online / web portale
Raportimi më i mirë i transmetuar në televizion
Raportimi më i mirë i transmetuar në radio
Artikujt dhe materialet mediatike duhet të jenë publikuar ose transmetuar brenda periudhës nga 1 janari deri më 31 tetor 2025, dhe të trajtojnë tema që lidhen me bankat, sigurimet, fondet pensionale, gjithëpërfshirjen financiare, inovacionin financiar dhe fusha të tjera të sektorit financiar.
BQK thekson se ky çmim do të ndahet në mënyrë tradicionale çdo vit, më 15 nëntor, në nder të Ditës së Themelimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Afati i fundit për aplikim: 31 tetor 2025
Gazetarët e interesuar mund të dorëzojnë aplikimet dhe materialet e tyre sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen zyrtare të publikuar në faqen e BQK-së.
👉 Njoftimi i plotë dhe kriteret e aplikimit janë të publikuara këtu:
🔗 https://bqk-kos.org/news/cmimi-i-bqk-se-per-shkrimin-dhe-raportimin-ne-gazetari-per-sektorin-financiar/