Drejtuar Kurtit, Krasniqit, Abdixhikut, Haradinajt dhe gjykatësve: Mos e ktheni Kosovën në Bosnjë

Aktuale

Drejtuar Kurtit, Krasniqit, Abdixhikut, Haradinajt dhe gjykatësve: Mos e ktheni Kosovën në Bosnjë

Më: 8 shtator 2025 Në ora: 22:15
Fotoilustrim

Nga redaksia – Ky është opinion i Kadri Kryeziut, i publikuar në profilin e tij në Facebook, të cilin e sjellim të plotë për lexuesit tanë.

Nga Kadri Kryeziu – Kosova ndodhet përballë një momenti kritik kushtetues. Pesë gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese kanë në dorë një vendim që mund të përcaktojë fatin e shtetit për dekadat e ardhshme. Nëse ata gabojnë, rrezikojmë të përsërisim tragjedinë e Bosnjës, ku pakicat etnike kanë fuqi veto mbi funksionimin e shtetit.

Nuk gjej asnjë kënaqësi, përkundrazi ndihem keq kur u drejtohem njerëzve të gjakut tim me fjalët: “Veçojeni gishtin kokës dhe kujdes nga gjykimi i popullit”. Por e them me dhimbje, sepse historia nuk do të na falë një gabim të tillë.

Kosova nuk është Bosnjë

Në të gjithë Evropën, vetëm Bosnja e Hercegovina nuk mund ta konstituojë parlamentin pa zgjedhur menjëherë të gjithë nënkryetarët. Dhe kjo, sepse Bosnja është shtet multietnik i bazuar mbi mosbesim të ndërsjellë.
Kosova, në të kundërt, është shtet unitar, i përcaktuar qartë nga neni 1 i Kushtetutës. Ne jemi një shoqëri multietnike, por shteti është i qytetarëve të barabartë, jo i komuniteteve me fuqi të barabarta.

Prandaj, interpretimi i nenit 67 nga Gjykata Kushtetuese, sikur Kosova të ishte Bosnjë, është jo vetëm gabim, por edhe i rrezikshëm. Ky precedent do t’u jepte serbëve fuqi veto që Kushtetuta nuk ua njeh.

Pasojat e rënda të një vendimi të gabuar

Nëse Gjykata Kushtetuese vendos që Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, atëherë:

▶︎ 10 deputetët e Listës Serbe do të bëhen kingmaker të çdo procesi politik.

▶︎ Serbia, me një urdhër, mund të bllokojë funksionimin e Kuvendit.

▶︎ Ky precedent do të përdoret për të imponuar Asociacionin me kompetenca ekzekutive.

▶︎ Shkallëzimi i krizës do të çonte në destabilizim të brendshëm, madje edhe konflikt.

Kjo nuk është çështje thjesht procedurale, por rrezik për vetë themelet e shtetit.

Zgjidhja që propozoj

Gjykata Kushtetuese duhet të ndajë vendimin në dy pjesë:

1. Çështjet me interes vital shtetëror: të konfirmojë qartë se Kosova është shtet unitar dhe se neni 67 nuk krijon fuqi veto për pakicat. Kuvendi konsiderohet i konstituar me dhënien e betimit, zgjedhjen e Kryetarit dhe plotësimin e kuorumit për funksionimin e Kryesisë.

2. Çështjet procedurale: mënyra e votimit të nënkryetarëve është dytësore dhe mund të ndryshojë, pa prekur karakterin unitar të shtetit.

Vetëm kështu gjykatësit shqiptarë do ta kryejnë me nder detyrën e tyre patriotike, do të dalin faqebardhë dhe do të mbeten në histori si mbrojtës të shtetit.

Thirrja për unitet politik

Kjo krizë nuk mund të përdoret si mjet për luftë të brendshme partiake. Liderët shqiptarë duhet ta lënë anash garën për pushtet dhe të veprojnë për qetësimin e situatës. Përgjegjësia bie mbi të gjithë, por mbi të gjitha mbi Vetëvendosjen, si forca më e madhe politike.

Kosova ka nevojë për maturi, jo për aventura. Kushtetuta është në rregull. Të jemi ne ata që jemi në rregull me shtetin tonë.

Sinqerisht e vëllazërisht,
Kadri Kryeziu

Më poshtë gjeni tekstin integral të opinionit të Kadri Kryeziut, ashtu si është publikuar në profilin e tij në Facebook:

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat