Kadri Kryeziu thyen heshtjen: “Sulmet ndaj meje janë thashetheme, kam një ekip të fuqishëm pas vetes”

Aktuale

Kadri Kryeziu thyen heshtjen: “Sulmet ndaj meje janë thashetheme, kam një ekip të fuqishëm pas vetes”

Më: 10 shtator 2025 Në ora: 23:54
Foto ilustrim / Bota Sot

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar me tone të forta ndaj sulmeve që, sipas tij, synojnë ta zbehin vlerën e analizave të tij. Ai i ka quajtur këto akuza “thashetheme të pavërteta” dhe ka theksuar se pas tij qëndron një ekip i fuqishëm bashkëpunëtorësh dhe ekspertësh, të cilët i japin peshë çdo qëndrimi të tij publik.

Në një postim të gjatë në Facebook, Kryeziu ka theksuar se çdo analizë është e bazuar në punën e tij personale, por edhe në mbështetjen e një rrethi të gjerë profesionistësh brenda dhe jashtë vendit. Ai ka shtuar se kjo është praktikë normale në çdo institucion kushtetues serioz.

“Unë nuk jam vetëm. Përreth vetes kam një ekip të shkëlqyer bashkëpunëtorësh dhe një rrjet të veçantë konsultimi me shkencëtarë eminentë të së drejtës kushtetuese, sidomos në SHBA. Me këtë rreth të fuqishëm, unë nuk kam si të ndalem”, shkroi ai.

Kryeziu ka kritikuar ashpër ata që sipas tij janë të izoluar dhe pa ndikim, duke theksuar se ndryshe nga ta, ai ka zgjeruar rrjetin e miqve dhe bashkëpunëtorëve. “Sot unë nuk jam vetëm dhe këtë e dëshmon puna ime e përditshme”, ka shtuar ai.

Në fund, ish-anëtari i Kushtetueses ka theksuar se për të nuk ka rëndësi përplasja personale, por mbrojtja e Kushtetutës dhe forcimi i institucioneve, duke nënvizuar se sulmet ndaj tij nuk do ta ndalin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat