Dokumentari “Pavarësia e Dytë/ Veriu i Kosovës” nga Grida Duma ofron një portret të gjallë të realitetit në veri të vendit, duke nxjerrë në pah sfidat e mëdha që ky rajon ka kaluar në rrugën drejt sovranitetit.
Në një reagim të fuqishëm, veprimtari nga SHBA, Ramazan Bekteshi e përshkruan këtë dokumentar si një dëshmi të qartë të përpjekjeve të shtetit për të rivendosur kontrollin dhe për të kthyer veriun në një pjesë të plotë të Kosovës.
Ai thekson se përparimet e arritura, përfshirë ndërtimin rekord të infrastrukturës dhe eliminimin e strukturave paralele, janë rezultat i strategjive të qeverisë dhe guximit të njerëzve që sakrifikuan shumë për këtë qëllim. Bekteshi gjithashtu sfidon opozitën dhe aktorët që nuk kanë mbështetur këto ndryshime, duke i bërë thirrje medieve dhe institucioneve që të jenë më të përgjegjshme dhe t’i përkrahin përpjekjet për pavarësi dhe zhvillim, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Ndiqni dokumentarin më të mirë të krijuar deri më tani për veriun e Kosovës me një titull simbolik: Pavarësia e Dytë/ Veriu i Kosovës nga Grida Duma
Me këtë dokumentar brilant lind pyetja: Ku qëndrojnë TV studiot tona, a e përkrahin pavarësinë e vendit apo e luftojnë atë?
Teksti i këtij dokumentari fillon kështu:
“Ka territore që i ke në letër, por nuk i zotëron. Në harta, veriu ka qenë gjithmonë Kosovë. Por në përditshmërinë e tij, ka qenë një vend i huaj: një hapësirë ku shteti nuk hynte, ku ligji nuk dëgjohej, ku flamuri valëvitej vetëm në fletë zyrtare, por jo në rrugë.
Për shumë vite, veriu ishte një kufi i padukshëm, një botë që i ngjante Kosovës vetëm nga larg. Nga afër, ajo ishte një tjetër histori: një territor i mbuluar nga sirenat, i mbajtur peng nga frika dhe nga strukturat paralele.
Në këtë tokë, Kosova ekzistonte vetëm si ëndërr. Dhe megjithatë, historia ka momente kur ëndrrat kërkojnë të bëhen realitet.
Më 24 shtator 2023, Banjska u bë skena e një përplasjeje që nuk ishte si të tjerat. Në këtë fshat të vogël, u provua fuqia dhe guximi i shtetit të Kosovës.
Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin. Ai dha jetën e tij për të treguar se këtu, veriu nuk mund të ishte më një zonë e lirë për strukturat paralele. Sakrifica e tij nuk ishte e kotë. Ajo rrëzoi mitin se këtu shteti nuk guxon.”
- Top channel nuk mori plumb gjatë xhirimit sepse atë pjesë tani e kontrollon Policia e Kosovës
Pra, në veri te Kosovës, fabrika që prodhonte pjesë tankesh, nga një destinacion paramilitar është kthyer në destinacion zhvillimor, nga një destinacion armësh për luftë është konvertuar në destinacion për energjetikë. Pra ishte një strategji suksesi e qeverisë hap pas hapi, derisa, opozita ankohej jo nga Serbia por nga qeveria e Kosovës që ushtronte sovranitet. Kjo opozitë dëshironte status-quo-në, ngjashëm si bashkësia ndërkombëtare por ja qe dëshirat nuk iu realizuan.
Godina e Kryqit të Kuq të Serbisë që ishte prezantuar si qendër humanitare në fakt ishte një bazë paramilitare, jo për të shpëtuar jetë por për tu stërvitur për agresion. Këtë bazë e inauguroi presidenti serb Vuçiq me 2018 derisa qeveria e Kosovës heshti. Heshti sepse bizneset i kishin të përbashkëta, flitet se një pjesë e kriptovalutave prodhoheshin edhe për politikanët Kosovar të kohës.
Sot, ura u ndërtua për pesë javë, që është një rekord rajonal derisa sovraniteti i veriut të vendit është një realitet i lumtur!
P.S. Teksti është i bazuar në dokumentar.