Në një kohë kur institucionet e Kosovës përballen me sfida të ndërlikuara politike dhe kushtetuese, debati mbi rolin dhe kufijtë e Gjykatës Kushtetuese bëhet më aktual se kurrë.
E në lidhje me këto çështje, përmes një postimi në Facebook, reagoi Kadri Kryeziu – profesor i së drejtës kushtetuese – i cili ngriti një shqetësim të thellë mbi rrezikun e keqinterpretimit të Kushtetutës si mjet për të bllokuar jetën institucionale të shtetit.
Duke iu referuar pezullimit të Dialogut Strategjik me SHBA-në dhe debatit rreth përfaqësimit të komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit, Kryeziu trajton dallimin mes përfshirjes dhe paralizës, duke mbrojtur parimin se kritika e argumentuar ndaj gjykatave nuk është shkelje, por shprehje e një demokracie të pjekur, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Pezullimi, Gjykata dhe Kushtetuta: Paralajmërimi që nuk guxojmë ta lexojmë gabim
Rreziku nuk është debati me Gjykatën. Rreziku është paraliza e shtetit nga një veto e fshehur që Kushtetuta nuk e njeh.
👇👇👇
“Dy ditë para pezullimit të Dialogut Strategjik, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Anu Prattipati, më tha se kjo mund të ndodhte.” – Nenad Rashiq. Dhe, po, duket se Rashiq ka të drejtë: pezullimi erdhi si pasojë e kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Le të themi hapur: kritika nuk është minë nën themelin e Gjykatës, është oksigjeni i demokracisë. Gjykatat janë të shenjta në fuqi, por jo në mendim. Kritikë bëjnë qytetarët, bëjnë liderët, madje në raste të caktuara, është detyrë ta bëjnë. Pa kritikë, demokracia kthehet në muze.
Edhe miqtë tanë amerikanë e dinë këtë. Mjafton të shikosh çdo ditë lajmet nga Ëashingtoni: Presidenti Trump kritikon publikisht gjykatat amerikane, përfshirë edhe Gjykatën Supreme. Dhe askush nuk thotë se Amerika po bie. Përkundrazi, kjo është demokraci në veprim. Atëherë, pse e njëjta gjë duhet parë si herezi në Prishtinë?
Gjykata Kushtetuese është rojtare, jo ligjbërëse. Kushtetuta garanton përfshirje, jo bllokim. Neni 81 thotë qartë: ka raste kur duhet shumicë e veçantë. Jashtë atyre rasteve, vendos shumica. Pikë.
Dhe këtu s’duhet të harrojmë: e drejta e serbëve të Kosovës për një vend në Kryesinë e Kuvendit është e garantuar me Nenin 67.4. Askush nuk e vë në dyshim. Por ta kthesh këtë të drejtë në një “buton bllokimi” për jetën e Republikës? Jo. Kurrë.
Nëse Gjykata bie në grackën e barazimit të një ankese procedurale me një veto të maskuar, atëherë kemi problem serioz. Sepse kështu shkruan në Kushtetutë atë që Kushtetuta e ndalon: paralizën e shtetit me shumicë pakice.
Përfshirje, po. Paralizë, kurrë.
Respektimi i Gjykatës do të thotë ta presim prej saj mbrojtjen e Kushtetutës. As më shumë, as më pak. Dhe nëse e tejkalon kufirin, kritika nuk është pabesi. Është besnikëri e vërtetë kushtetuese.
Kadri Kryeziu
Profesor i së Drejtës Kushtetuese