“U vranë mbi 600 vetë në Kosovë” - Buxhovi: Pse gjyqi për krime lufte në Hagë është i domosdoshëm

Aktuale

“U vranë mbi 600 vetë në Kosovë” - Buxhovi: Pse gjyqi për krime lufte në Hagë është i domosdoshëm

Më: 16 shtator 2025 Në ora: 23:10
Jusuf Buxhovi

Historiani nga Kosova, Jusuf Boxhovi, ka deklaruar se krijimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ishte i domosdoshëm për të zbardhur krimet e luftës në Kosovë.

Në një lidhje direkte për emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, Boxhovi tha se gjykata të tilla u ngritën pothuajse në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, megjithëse, sipas tij, në disa raste gjykimet mund të kenë qenë farsë.

“Gjykata e Hagës dhe Dhomat e Specializuara nuk kanë zbritur nga qielli. Ajo ka ardhur në një përfundim që të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë duhet të krijojnë gjykatat e tyre për të hetuar krimet e luftës”, tha Boxhovi.

Historiani solli në vëmendje faktin se në periudhën prej hyrjes së NATO-s në Kosovë e deri një vit më pas, janë kryer mbi 600 vrasje, të cilat ende nuk janë hetuar plotësisht.

“Janë vrarë 106 aktivistë të LDK-së, 116 anëtarë të UÇK-së, përfshirë disa komandantë, si dhe rreth 400 pjesëtarë të komuniteteve minoritare. Shumë prej tyre nuk dihet pse dhe kush i ka vrarë. Kanë kaluar disa vite dhe Kosova nuk i ka kryer këto hetime”, theksoi ai.

Boxhovi shtoi se, ndryshe nga Kosova, Serbia, Kroacia dhe shtetet e tjera të rajonit kanë zhvilluar gjykime, edhe pse shpesh janë cilësuar si të padrejta ose të motivuara politikisht.

Sipas tij, krijimi i Dhomave të Specializuara ishte një nevojë që erdhi si pasojë e mungesës së hetimeve vendore, por ai pranoi se në praktikë shpesh perceptohet më shumë si një “qërim hesapesh mes forcave politike”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat