Ish-ambasadori Sylë Ukshini ka reaguar pas njoftimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për takimin e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Kopenhagë. Ukshini tha se deklarata e Rutte-s, që thekson përgjegjësinë për sulmet ndaj KFOR-it dhe dhunën në Banjskë, është një kujtesë e përfshirjes së Serbisë në veprime kundër forcave paqeruajtëse dhe Policisë së Kosovës.
Sipas Ukshinit, Serbia po shndërrohet në një strehë për grupe kriminale që financohen nga buxheti shtetëror, ndërsa BE-ja ka dështuar të adresojë seriozisht sulmin e armatosur në Banjskë, duke rrezikuar paqen e stabilitetin në rajon.
Postimi i plotë:
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë të ditur në platformën X se është takuar me Presidentin serb A. V. në Kopenhagë. Gjatë takimit, ai theksoi rëndësinë e mbajtjes së përgjegjësisë për sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe dhunën në Banjskë.
Përmes këtij mesazhi, Shefi i NATO-s ka rikujtuar përfshirjen e Serbisë në sulmet e vazhdueshme kundër forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe Policisë së Kosovës gjatë viteve të fundit. Aleatë të ngushtë të presidentit serb – përfshirë Milan Radojçiqin – kanë pranuar publikisht përfshirjen e tyre në sulmin e armatosur në Banjskë, por deri më tani nuk janë përballur me drejtësinë.
Ky realitet tregon se Serbia po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strehë për grupe kriminale, të cilat jo vetëm që nuk ndëshkohen, por financohen nga buxheti shtetëror – përfshirë fondet që vijnë nga Bashkimi Evropian. BE-ja, për fat të keq, ka dështuar të adresojë seriozisht sulmin e armatosur të Serbisë ndaj territorit të Kosovës në fshatin Banjskë, duke rrezikuar kështu paqen dhe stabilitetin në rajon.