Babai i Naim Murselit mungon në seancë, njofton gjykatën se qëndron prapa deklarimeve të mëhershme

Aktuale

Babai i Naim Murselit mungon në seancë, njofton gjykatën se qëndron prapa deklarimeve të mëhershme

Më: 10 tetor 2025 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 11:51 më 10.10.2025
Foto ilustrim, një nga seancat e kaluara

​Vrasja e Liridona Ademajt, rrëfejnë dëshmitarët në seancë gjyqësore

Në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademaj ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve.

Dëshmitari i parë që u dëgjua në seancën kundër Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës ishte Florjan Avdia.

Ai tha se Naim Murselin e ka takuar 8-10 herë pasi ai ka jetuar jashtë, ndërsa Granitin dhe Kushtrimin e njeh meqenëse ishin klient të rregullt në lokalin e tij “Te Beka”.

Gjatë dëshmisë së tij Avdia tha se asnjëherë nuk i ka parë duke u takuar bashkërisht Naim Murselin, Granin Plavën dhe Kushtrim Kokallën.

Megjithatë tha se në natën kritike në orën 12:00 të natës kishte komunikuar përmes telefonit me Granit Plavën i cili ndodhej në një lokal në Prishtinë.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe i akuzuari, Naim Murseli i cili e pyeti se a e kishte parë atë me bashkëshorten e tij ndonjëherë.

Dhe dëshmitari Avdia tha se jo nuk i kujtohet.

“Avdia, po thua gjithsej prej kur ekziston ai lokal dhe t’i shtëpitë i kam pas afër a jam rrit unë në Cermnaj apo Suedi?

Avdia: Në Suedi.
Naimi: A akuzuari Granit në deklaratën e tij thotë se një ditë para ngjarjes kam qenë tek Beka në lokalin tuaj një ditë nuk është që më ke parë.
Avdia: Jo dhe as nuk të ka parë asnjëherë askush ty dhe Grantin dhe nuk ju ka parë bashkë në lokal tek ne.
Murseli: Kur kam qenë në Kosovë, a kam qenë më shumë në Cermjan apo Prishtinë?
Avdia: Në Prishtinë.
Murseli: Florian, ju më keni takuar me fëmijët e mi, sepse përveç banesës e kafenesë është edhe marketi, unë nuk është që kam hyrë në market për t’iu blerë fëmijëve gjësende, a më ke takuar me fëmijët e mi?
Avdia: Po iu kam takuar edhe me fëmijët tuaj.
Murseli: Me bashkëshorten time të ndjerë a më ke takuar?
Avdia: nuk më kujtohet që të kam parë ‘live’ me bashkëshorten tuaj të ndjerë”, ishte diskutimi në gjykatë.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

Vazhdon seanca ndaj të akuzuarve në vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nis seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Ndonëse ishte planifikuar që sot të dëgjohet babai i Naim Murselit, Shaban Murseli nuk ishte prezent pasi gjykatës i ka deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm në seancë.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatmie Dërmaku tha se dëshmitarin Shaban Murseli e kanë ftuar për dëshmi në seancë, por përmes telefonit ai ka deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm dhe se qëndron prapa deklatatës së dhënë.

“Shaban Murseli por po e shoh që nuk është këtu. Mungon Shaban Murseli. Me datën 25 shtator e kemi njoftuar e kemi thirr në telefon në Suedi ia kemi dërguar edhe ftesën në e-mail edhe pse neve përmes telefonit na ka deklaruar në telefon se nuk do të jetë në seancë, por qëndron prapa deklaratës së dhënë”, tha ajo.

Aktualisht po dëgjohet dëshmitari , Florjan Avdia.

----------------------

Sot do mbahet seancë gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në sencën e kaluar eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka, gjatë seancës gjyqësore ndaj vrasjes së Liridona Ademajt, ka thënë se nga hulumtimet e kryera largohet mundësia e vetvrasjes së saj dhe se distanca e qitjes me armë ka qenë 2 deri në 5 centimetra.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë tre të akuzuarit për vrasjen e të ndjerës, Liridona Ademajt. Dy të akuzuarit e parë kishin pretenduar se kanë çrregullime mendore, por që Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri nga ta nuk kanë pasur problematika të tilla shëndetësore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt. Ndërkaq Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, njësoj Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat