Gurakuç Kuçi: Serbia po ndërhyn në kohë reale në zgjedhjet në Kosovë

Aktuale

Gurakuç Kuçi: Serbia po ndërhyn në kohë reale në zgjedhjet në Kosovë

Nga: A.SH Më: 12 tetor 2025 Në ora: 09:55
Grumbullimi i njerëzve në veri

Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka paralajmëruar për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë në zgjedhjet lokale që po mbahen sot në Kosovë. Ai thotë se Beogradi po e dëmton procesin zgjedhor përmes mobilizimit të grupeve të organizuara të serbëve, presioneve politike dhe blerjes së votave.

Sipas Kuçit, Serbia ka përdorur kërcënime, shantazhe, shpërndarje dhuratash dhe favore ekonomike për të siguruar mbështetje për Listën Serbe, ndërsa ka përhapur edhe propagandë të rreme për të nxitur tensione ndëretnike.

Ai kërkon vigjilencë të lartë nga institucionet e sigurisë dhe vëzhgim të ngushtë të situatës nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, për të parandaluar çdo përpjekje për destabilizim të vendit.

Shkrimi i plotë:

Serbia po dëmton në kohë reale procesin zgjedhor në Kosovë – thirrje për vigjilencë të lartë të institucioneve të sigurisë dhe atyre ndërkombëtare ndaj rrezikut të destabilizimit

---

Serbia po ndërhyn në kohë reale në zgjedhjet lokale që po mbahen sot në Kosovë, duke shkelur hapur rendin kushtetues dhe ligjet zgjedhore të Republikës së Kosovës.

Serbët janë mobilizuar në grupe të organizuara për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Që në fillim të votimit janë parë kolona të automjeteve dhe grumbullime masive në veri, që dëshmojnë për votim të organizuar dhe të dirigjuar politikisht nga Beogradi.

Serbia, gjatë gjithë fushatës, ka përkrahur publikisht Listën Serbe, duke stigmatizuar si tradhtarë ata serbë që nuk e votojnë, dhe ka përdorur kërcënime, shantazhe dhe presione të drejtpërdrejta për të detyruar pjesëmarrjen.

Në terren, janë raportuar blerje votash përmes skemave sociale, shpërndarjes së dhuratave, vendeve të punës dhe madje edhe banesave – metoda të njohura të kontrollit politik dhe varësisë ekonomike. Këto veprime përbëjnë shkelje të qarta të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kodit Penal të Kosovës, të cilat ndalojnë çdo formë të votimit të organizuar, imponimit të votës së lirë, shantazhit dhe blerjes së votës.

E gjithë kjo tregon se Serbia po i keqpërdor serbët në Kosovë për të mbajtur gjallë ndikimin e saj politik dhe institucional, duke e përdorur procesin demokratik si instrument për të minuar rendin kushtetues dhe për të destabilizuar vendin.

Edhe më shqetësuese është se para zgjedhjeve, Serbia, përmes rrjeteve të saj në Kosovë dhe mediave pro-Vuçiç, ka shpërndarë propagandë të fabrikuar, si rasti i një videoje të inskenuar për gjoja tentim rrëmbimi të një vajze serbe nga dy shqiptarë. Videoja nuk kishte zë, lokacion apo prova, dhe ishte e regjistruar nga një person i katërt – një veprim tipik për nxitje urrejtjeje etnike dhe mobilizim politik të serbëve.

Edhe dje në Serbi ka pasur një marsh protestues në "përkrahje" të serbëve në Kosovë.

Këto zhvillime janë provokim i hapur ndaj sistemit kushtetues të Kosovës dhe kërkojnë vigjilencë maksimale të institucioneve të sigurisë, monitorim të vazhdueshëm të terrenit, dhe reagim të koordinuar të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare për të parandaluar çdo skenar të mundshëm destabilizues të orkestruar nga Beogradi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat