Kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi e shoqëruar nga dy prindërit e saj ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, në Carrabreg të Deçanit.
Pasi votoi ajo i evidentoi disa nga parregullsitë që kanë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor të 12 tetorit.
Megjithatë ajo ftoi qytetarët që sa më shumë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Kuçi: Procesi deri tash ka shkuar me disa incidente të cilat i kemi raportuar
“Procesi mund të them se deri tash ka shkuar me disa incidente të cilat i kemi raportuar siç ishte ajo që zëvendësdrejtori i arsimit në secilën shkollë shkon nga 30-40 minuta bënë presion, Hajdar Sutaj që është kryesues i Kuvendit dhe bartës i listës ishte deri më herët në këtë shkollë duke bërë presion, e dimë që këta qe 23 vite janë mësuar në këtë mënyrë duke ushtruar presion duke frikësuar njerëz. Mirëpo unë besoj qe kësaj here njerëzit kanë me zgjedh përkundër frikës përkundër presioneve për te mirën dhe të ardhmen e qytetit të Deçanit…. është herë e parë që këtyre u rrezikohet pushteti..gjithë qytetarët e Deçanit me marr pjesë në votim sa më shumë sa më masivisht”, tha ajo.
Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Shkumbin Demalija nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.
Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.
Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në ketë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.
KosovaPress ka kontaktuar me kryesuesin e Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj i cili ka demantuar akuzat që po i bëhen për presion ndaj votuesve në këtë komunë.
Hajdar Sutaj përmes telefonit i ka thënë për KosovaPress që ai në atë qendër votimi kishte shkuar me familjarët e tij për të votuar.
Sipas tij kjo është një fushatë e pamoralshme karshi tij.
Sutaj: Isha me familjarët për të votuar
“Unë aty isha me nënë time me bashkëshorten time me dy motrat e mija më vëllain me kunatën me axhallarë kemi shkuar të votojmë në qendrën ku votojmë në klasën ku votojmë unë e sfidoj kandidaten publikisht që t'i fton organet e rendit le t'i merr kamerat le ta shoh se në sa kam hyrë dhe kur kam hyrë ku kam qëndruar dhe në sa ora kam dal vetëm kam prit në radhë me votu dhe kam dal në momentin që kemi votuar kam dalë bashkë me familjen. Është e padrejtë me qit një foto ku unë si qytetarë kam shkuar me e kry të drejtën time kushtetuese.. presion mbi kujt mbi nënën time, mbi gruan time kjo është marre, por kjo është duke bërë një fushatë tendenciozce e të pamoralshme që e ka bë ajo në vazhdimësi dhe përgjigjen do ta marrë nga qytetarët me një humbjë të thellë”, tha ai.
Në qendrën e votimit në fjalë një person e ka fotografuar votën dhe tani policia dhe prokuroria janë marrë me rastin.
Dyshime për presion mbi votuesit nga përfaqësues të AAK-së në qendrën e votimit në Carrabreg ka shprehur edhe pretendeti për kryetar të Decanit nga radhët e LDK-së, Jeton Mushkolaj.
Në Deçan në ora 07:00 janë hapur 14 qendrat e votimit me gjithsej 50 vendvotime dhe 1 qendër votimit me kusht.