​Memli Krasniqi feston në Mitrovicë: PDK-ja është fituese e zgjedhjeve lokale

Aktuale

​Memli Krasniqi feston në Mitrovicë: PDK-ja është fituese e zgjedhjeve lokale

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

Palestra “Minatori” në Mitrovicë është mbushur me simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të festuar fitoren e kandidatit të kësaj partie në Mitrovicë, Arian Tahiri.

Pjesëmarrës në këtë festë e cila po vazhdon ende, është edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi, thekson se në zgjedhjet lokale në Mitrovicë, fitues është Arian Tahiri.

Ai ka falënderuar mitrovicasit për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë PDK-së e bënë parti fituese të zgjedhjeve lokale me numrin më të madh të komunave pa balotazh.

Krasniqi: Fuqia e Partisë Demokratike të Kosovës është në zemrat e njerëzve të mirë të Mitrovicës

“Fuqia e Partisë Demokratike të Kosovës është në zemrat e njerëzve të mirë të Mitrovicës. Faleminderit shumë të gjithëve për një fushatë të jashtëzakonshme e madhështore, për një fushatë madhështore, për një fushatë të qytetëruar me të cilën duke i dhënë mbështetje Arianit ju i treguat krejt Kosovës se Mitrovica edhe donë më mirë, edhe mundet më mirë, edhe bënë më mirë”, tha Krasniqi.

Ai më tej ka shtuar se PDK-ja ka fituar numrin më të madh të komunave pa pbalotazh në zgjedhjet e 12 tetorit.

Krasniqi: Kemi fituar numrin më të madh të komunave pa balotazh

“Unë jam sonte mbas përfundimit të një dite të gjatë të zgjedhjeve, pikërisht këtu në Mitrovicë. Kam zgjedh që t’i adresohem juve dhe qytetarëve të Kosovës pikërisht nga kjo palestër për t’i falënderuar të gjithë ata për besimin dhe mbështetjen e madhe që na e kanë dhënë neve si parti, duke na bërë si partinë fituese të zgjedhjeve lokale. Kemi fituar numrin më të madh të komunave pa balotazh.

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri tha se në mandatin e ardhshëm do t’i shërbejnë të gjithëve, sepse siç tha ai duan që ta shkruajnë periudhën e lavdishme dhe krenare të qytetit të Mitrovicës.

Tahiri: Nuk është fitore e imja, është e Mitrovicës

“Nuk është kjo fitore e Arian Tahirit, është fitore e Mitrovicës. Unë jam këtu t’i bashkoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës sepse për mua secili qytetarë dhe Mitrovica është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Janë duke u numëruar, jemi prag dhe shumë afër që sonte të kapitalizohet fitorja e madhe e Mitrovicës, pavarësisht kësaj edhe nëse shkojmë në raundin tjetër , ne do të vazhdojmë të jemi në secilën shtëpi, lagje për qytetin me qytetarët, deri në fitoren e madhe...ne nuk jemi vetëm sepse ne jemi bashkë, Mitrovica janë bashkë, qytetarët e Mitrovicës janë bashkë dhe vetëm qytetarët e Mitrovicës vendosin për qytetin e tyre dhe qeverisjen e ardhshme. Nuk ka forcë, nuk ka individë, nuk ka profile që mund të vendosin për fatin tonë. Për fatin tonë do të vendosim do të vendosim vetëm ne mitrovicasit”, tha ai.

Kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza bëri një falënderim për atë që e quajti fushatë dinjitoze.

Ai tha se më meritori për rezultatin e PDK-së në Mitrovicë, është kandidati për kryetar, Arian Tahiri.

Hamza: Aktualisht kandidati i PDK-së është duke udhëhequr në Mitrovicë

“Tani e kemi një rezultat, që duhet ta presim deri në votën e fundit, aktualisht kandidati i PDK-së zotëri Tahiri është duke udhëhequr, mirëpo janë ende votat e diasporës, votat me kusht, të cilat do të përcaktojnë rezultatin final të garës. Dëshiroj ta falënderoj për një garë madhështore, shumë të dinjitetshme, profesionale, me integritet, me edukatë, Arian Tahirin...Në bazë të informatave, edhe pse nuk janë përfundimtare, sepse dua ta bëj të qartë përfundimtare janë të dhënat që i publikon KQZ-së, edhe PDK si parti në këto zgjedhje ka mbërritur një rezultat të jashtëzakonshëm”, tha Hamza.

Sipas EXIT POLL-it të publikuar në T7, Mitrovicën e Jugut e ka fituar pa balotazh Arian Tahiri i PDK-së me 58.35 për qind. Pas tij është kandidati i LVV-GUXO Faton Peci me 35.6%.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat