​KQZ e quan “verifikim të rezultateve”, por duket si rinumërim – Çfarë ndodh vërtet në QKN

Aktuale

​KQZ e quan “verifikim të rezultateve”, por duket si rinumërim – Çfarë ndodh vërtet në QKN

Më: 17 tetor 2025 Në ora: 13:16
Foto ilustrim

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e quan “verifikim të rezultateve”, ajo që po ndodh në Qendrat Komunale të Numërimit duket shumë si një proces i dytë numërimi i fletëvotimeve.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka paraparë që numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe i fletëvotimeve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale të bëhet në vendvotime, ndërkaq numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit.

Por, edhe pse në vendvotime bëhet numërimi i kërkuar sipas ligjit, të njëjtat fletëvotime i nënshtrohen një procesi që sipas KQZ-së është “verifikim i rezultateve nga formularët e plotësuar në vendvotime” që ka për qëllim sigurimin e saktësisë dhe integritetit të rezultateve zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar për KP se në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, ku zhvendoset procesi zgjedhor pas ditës së votimit, zhvillohen tri aktivitete të rëndësishme.

Sipas tij, KQZ përfshiu “verifikimin e rezultateve” në aktet nënligjore pas përfundimit të reformës zgjedhore në vitin 2023.

Elezi: Verifikimi i rezultateve është masë shtesë

“Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Pas miratimit të Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, në verën e vitit 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar aktet nënligjore, përmes së cilave konkretizohen aspektet e organizimit të procesit zgjedhor. Verifikimi i rezultateve në QKN nga formularët që plotësohen në vendvotime është një masë shtesë që ka për qëllim sigurimin e saktësisë dhe besueshmërisë në rezultatet zgjedhore”, tha Elezi.

Në rast se gjatë procesit të verifikimit në Qendrat Komunale të Numërimit konstatohet se rezultati i ndonjë kandidati apo subjekti politik nuk është përshkruar saktë në formularët e plotësuar në vendvotime, KQZ ka mundësi të bëjë korrigjimin e këtyre të dhënave.

Elezi: Në QKN mund të bëhet korrigjimi i rezultatit

“Në Qendrat Komunale të Numërimit mund të bëhet korrigjimi i rezultatit, i cili është evidentuar në formularët që janë plotësuar në vendvotime. Kjo procedurë ëstë pjesë e kontrollit, në mënyrë që të reflektohet vullneti real i votuesve të shprehur në vendvotime, përmes votës së tyre”, tha Elezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat