​Kurti për Fatos Nanon: U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë për rolin e tij historik

Aktuale

​Kurti për Fatos Nanon: U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë për rolin e tij historik

Më: 31 tetor 2025 Në ora: 22:27
Fatos Nano

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar pas vdekjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano sot në moshën 73-vjeçare.

Kurti ka evokuar kujtime nga takimet e tij me ish-kryeministrin shqiptar, duke thënë se në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore.

“Ai shërbeu tri herë si kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat.”

Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri tek ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së, ka shkruar Kurti në Facebook.

Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillim-shekullit 21. Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik, përfundon Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat