Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar koalicionin VLEN për rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ku kjo forcë politike ka fituar në dhjetë komuna, përfshirë Çairin dhe Tetovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se dy miqtë e tij, Izeti dhe Bilalli, kanë triumfuar me meritë “falë projekteve konkrete dhe punës së ndershme”.
Ai shtoi se fitoret e tyre, njëri në raundin e parë dhe tjetri pas dy javësh, janë dëshmi e besimit të qytetarëve te qeverisja e pastër e VLEN-it.
“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë.
Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka vlerësuar se gjatë 15 muajve në pushtet, VLEN-i ka qeverisur “me duar të pastra, pa korrupsion e skandale”, duke sjellë një dallim etik me qeverisjet e kaluara.
“Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka përfunduar ai.