Hajrulla Çeku uron Përparim Ramën për fitoren: Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon

Aktuale

Hajrulla Çeku uron Përparim Ramën për fitoren: Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon

Nga: M.L. Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 22:22
Hajrulla Çeku dhe Përparim Rama

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas përfundimit të balotazhit, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke uruar fituesin e garës, Përparim Ramën.

Në një postim në Facebook, Çeku ka thënë se fushata ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe se mbështetja e qytetarëve i ka dhënë forcë e besim për të ardhmen e kryeqytetit.

Ai ka uruar Përparim Ramën për fitoren, duke shprehur shpresën që Prishtina të dalë nga “kaosi në të cilin është futur”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë.

Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë.

E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur.

Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi.

Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund.

Faleminderit ekipit të jashtëzakonshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistëve, vullnetarëve, kandidatëve, shtabit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për punën, përkushtimin dhe besimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj fushate.

Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon, me të njëjtin besim dhe dashuri për Prishtinën tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat