Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres në detyrë të Tregtrisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore.
Pas njoftimit për aktakuzën, ministrja Hajdari ka reaguar përmes një deklarate publike, duke konfirmuar se është informuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës dhe se do të deklarohet më gjerësisht sapo ta pranojë dokumentin e plotë.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka thënë Hajdari.
Në reagimin e saj, ajo është shprehur krenare për punën e bërë si ministre, duke theksuar se në periudhën shkurt–mars 2022, kur vendi përballej me sfida të mëdha, kishte siguruar rezervat shtetërore të mallrave esenciale për jetesë.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë, sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur”, ka deklaruar Hajdari.