Durkee: Bëhej përpjekje për ta paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme se Shtabin

Aktuale

Durkee: Bëhej përpjekje për ta paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme se Shtabin

Më: 13 nëntor 2025 Në ora: 15:08
Michael Durkee

 Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues të përfaqësuar nga gjyqtari, Christoph Barthe, dëshmitari Michael Durkee tha se UÇK-ja bënte përpjekje për ta paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme se Shtabi i Përgjithshëm.

Veç kësaj, Michael Durkee tha se shqiptarët e Kosovës kishin imituar strukturat e Ushtrisë Jugosllave të cilat kishin elemente politike në Shtabin e Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në ushtritë perëndimore nuk ka drejtori politike brenda Shtabit të Përgjithshëm. Në vendet e Paktit të Varshavës, ushtritë e tyre kanë siç ishte Ushtria Jugosllave, kanë një element politik në Shtabin e Përgjithshëm. Pra, ne kuptuam që shqiptarët e Kosovës kishin imituar strukturat e Ushtrisë Jugosllave. Megjithatë, ne lexuam shtypin lidhur me Drejtorinë Politike ku bëhej përpjekje për të paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme dhe më të lartë se Shtabi i Përgjithshëm që për një ushtarak është ngatërruese dhe shkakton konfuzion. Ajo paraqitej se ekziston”, tha Durkee.

Durkee theksoi se Hashim Thaçi përshkruhej si udhëheqës i kësaj Drejtorie, por ata si ndërkombëtarë nuk e kuptonin qartë marrëdhënien në mes elementit civil dhe luftetarëve.

“Thaçi përshkruhej si udhëheqësi i Drejtorisë Politike, por ne nuk e kuptonim qartë marrëdhënien në mes elementit civil dhe luftëtarëve, në veçanti luftëtarët në terren në Kosovë”, tha Durkee.

Dëshmitar deklaroi se nuk është në gjendje të japë koment se struktura e Drejtorisë Politike është ndërtuar brenda Shtabit të Përgjithshëm.

Më pas, ai u pyet se a kishte njohuri se kush ishin drejtorët e ndryshëm të drejtorive të Shtabit të Përgjithshëm.

“Ne dinim për Thaçin. Ne e dinim edhe për një person që ishte identifikuar si zëdhënësi i UÇK-së dhe ky ishte Jakup Krasniqi”, tha dëshmitari.

Durkee po ashtu u pyet se a mund të ketë njohuri që drejtorët e drejtorive mund të ishin edhe pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Ai tha se në atëkohë kur ishin në Mons të Belgjikës nuk e dinte se si shkonin këto gjëra.

Me kaq përfundoi pyetjet gjyqtari Christoph Barthe për të vazhduar me pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat