Stafi i Presidencës takon zyrtarin e DASH: Rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet

Aktuale

Stafi i Presidencës takon zyrtarin e DASH: Rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet

Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 22:25
Foto arkiv/ Presidenca e Kosovës

Shefja e Stafit të Presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, së bashku me Këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, Donika Kadaj-Bujupi, ka pritur gjatë kësaj jave Lyn Debevoise, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, raportet bilaterale dhe domosdoshmëria për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

Delegacioni i Presidentes ka theksuar rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke nënvizuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA është ndër prioritetet kryesore në avancimin e interesave të përbashkëta.

Gjithashtu u veçua angazhimi i presidentes Vjosa Osmani për forcimin e koordinimit të qëndrueshëm me institucionet amerikane dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm.

Në qendër të diskutimit ishin edhe procesi i rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë dhe nevoja që pas zgjedhjeve të formohen sa më shpejt institucionet e reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat