​Kurti: S’ka asnjë kryeministër të Kosovës që është takuar me më shumë serbë se unë

Aktuale

​Kurti: S’ka asnjë kryeministër të Kosovës që është takuar me më shumë serbë se unë

Më: 17 dhjetor 2025 Në ora: 17:48
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë përurimit të urës së re mbi lumin Ibër, ka deklaruar se takohet me komunitetin serb që jetojnë në Kosovë, porse nuk bëhet publike shkak që kontaktohen menjëherë nga BIA serbe e Beogradi duke kërkuar llogari për komunikimin me të, raporton KosovaPress.

Sipas tij, problemi nuk është tek ai, por te regjimi autoritar në Beograd që i kërcënon serbët në Kosovë.

Kurti tha se nuk ka pasur asnjëherë Republika e Kosovës një kryeministër që është takuar me më shumë serbë sesa ai.

“Unë jam takuar me shumë serbë, edhe në pjesën veriore, por edhe në shumë pjesë tjera. Nuk ka asnjë kryeministër të Republikës së Kosovës që është takuar me më shumë serbë se sa unë. Nuk ka asnjë kryeministër që ka folur më shumë serbisht. Ka shumë serbë që takoj, por nuk duan që kjo të bëhet publike, sepse i kontakton BIA nga Beogradi menjëherë. I thonë pse po flet me kryeministrin e Kosovës? Problemi nuk është tek unë, por te regjimi autoritar në Beograd që i kërcënon serbët në Kosovë, që janë bashkëqytetarët e mi. Unë dua që të jem kryeministër, siç edhe jam i të gjithë qytetareve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze”, tha Kurti.

Në një pyetje nga një gazetare nga komuniteti serb, Kurti iu drejtua se pse nuk pyet serbët që nuk janë me Listën Serbe se si ndihen dhe se sa kanë frikë nga Beogradi nëse ata kuptojnë se janë takuar me Kurtin.

“Unë takohem me të gjithë, mundemi edhe tash kudo në restorant ose kafene. Pse nuk shkoni në kafene të takoni serbë që nuk janë me Listën Serbe, t’i pyeteni si ndihen? A kuptoni ju që ata kanë frikë nga Beogradi nëse ata e kuptojnë se më kanë takuar. Unë këtë e bëj, por nuk ka foto më pas. Ata kërkojnë nga unë të mos i publikojmë fotografitë dhe unë them në rregull, sepse unë dua t’i mbroj. Unë jam për të gjithë këtu”, shtoi Kurti.

Kurti shtoi se ura e re e përuruar sot mbi lumin Ibër mund të shfrytëzohet nga çdo qytetar i Mitrovicës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat