​Hamza në Prizren: Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës sipas standardeve të NATO-s

Aktuale

​Hamza në Prizren: Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës sipas standardeve të NATO-s

Më: 17 dhjetor 2025 Në ora: 19:36
Bedri Hamza

Kryetari dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në hapje të fushatës zgjedhore në Prizren ka prezantuar programin e tij qeverisës që përfshin zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, mbrojtjen dhe politikën e jashtme.

Hamza tha se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri stabiliteti, pasi qeverisja e kaluar ka dhënë shumë premtime por rezultatet kanë qenë shumë të vogla.

Ai, përveç rritjes së pagave 50 për qind, premtoi se të ardhurat deri në 400 euro nuk do të ketë tatim, ndërsa nga 400 deri 800 euro do të ketë tatim vetëm 8 për qind.

Hamza: Besojmë në një zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët

“Ne besojmë në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që nuk e lë pas asnjë qytetar. Prandaj, do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Pagat për mësimdhënësit dhe arsimtarët, për mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50 për qind mbi pagën aktuale. Edhe sistemin tatimor do ta bëjmë më të drejtë të ardhurat deri në 400 euro më nuk do të tatohen, do ta kenë tatimin zero, nga 400 deri 800 do tatohen me vetëm 8 përqind, ndërsa pagat mbi 800 euro maksimumi 10 për qind. Do ta shfuqizojmë edhe ligjin aktual të tatimit në pronë dhe do ta heqim TVSH për produktet esenciale dhe energjinë. Bizneset nuk do të paguajnë më TVSH në kufi, por pas shitjes në brendi të territorit. Bizneset e vogla me qarkullim deri 10 mijë euro nuk do të tatimohen fare, bizneset me qarkullim deri 30 mijë euro do të tatimohen vetëm mbi bazën e fitimit real”, tha Hamza.

Hamza, ka premtuar lehtësira për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, fond 30 milionë euro në vit për bursa studentore, ilaçe falas për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, drejtësi të pavarur nga politika.

Hamza: Do të krijojmë fondin e papunësisë

“Ne do të krijojmë fondin e papunësisë, do të themelojmë gjykatën e punës dhe do t’i mbrojmë lehonat, familjet dhe punëdhënësit duke i përkrahur edhe financiarisht. Po ashtu, do rrisim subvencionet për fëmijët. Ne do t’i legalizojmë ndërtimet pa leje me tarifa simbolike dhe do ta zhbllokojmë kapitalin e ngrirë në miliarda euro dhe do ta vendosim në funksion të zhvillimit ekonomik... Reformat do të fillojnë nga arsimi parashkollorë me çerdhe, do krijojmë një fond prej 30 milionë euro bursa në vit, që çdo i ri dhe e re të ketë mundësi të ketë ëndrrën e vet për të përfunduar studimet. Për të moshuarit do të ndërtojmë qendra kujdesi, ndërsa për qytetarët me sëmundje kronike ju siguroj që do sigurohen ilaçe pa para falas. Garantoj drejtësi të pavarur”, shtoi Hamza.

Hamza shtoi se do ta krijojë gardën kombëtare të Kosovës si forcë operative sipas standardeve të NATO-s dhe do të rifillojë dialogun strategjik me SHBA-në dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Hamza: Do ta krijojmë gardën kombëtare të Kosovës sipas standardeve të NATO-s

“Do ta krijojmë gardën kombëtare të Kosovës, si forcë operative sipas standardeve të NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë. Do ta thellojmë partneritetin me NATO-n, do të punojmë për Partneritetin për Paqe, do ta rifillojmë dialogun strategjik me SHBA dhe do ta synojmë marrëveshjen strategjike me aleatin tonë kryesor. Po ashtu, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e statusit të kandidatit në BE”, tha Hamza.

Kandidati për kryeministër Bedri Hamza u bëri thirrje qytetarëve ta votojnë PDK-në për ta dërguar Kosovën së bashku përpara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat