Qendra Dixhitale Forenzike (DFC) ka publikuar një analizë të detajuar mbi narrativin e ashtuquajtur të “revolucionit me ngjyra”, i cili, sipas këtij raporti, po përdoret sistematikisht nga regjimi serb për të delegjitimuar protestat qytetare, veçanërisht protestat studentore, dhe për t’i paraqitur ato si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sipas analizës së DFC-së, në Serbi ky narrativ nuk përdoret si mjet analitik, por si etiketë politike me funksion të qartë propagandistik: zhvendos vëmendjen nga kërkesat reale të qytetarëve për përgjegjësi, transparencë dhe sundim të ligjit, drejt pretendimeve për ndërhyrje të huaj dhe skenarë të rrëzimit të pushtetit. Në këtë mënyrë, pakënaqësia sociale dhe politike reduktohet në një “operacion të dirigjuar nga jashtë”.
DFC vëren se përdorimi i këtij diskursi intensifikohet në momente krizash politike dhe protestash masive, duke e shndërruar mobilizimin demokratik në çështje sigurie. Kjo krijon hapësirë që autoritetet të reagojnë nga pozita represive, ndërsa kërkesat qytetare trajtohen si rrezik për stabilitetin e shtetit.
Analiza thekson se ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në Serbi, por se rasti serb përbën një nga shembujt më shqetësues në Ballkanin Perëndimor, pasi narrativi është ngritur në nivel të komunikimit zyrtar shtetëror. Presidenti Aleksandar Vučić dhe zyrtarë të lartë të qeverisë kanë promovuar publikisht pretendime se protestat në vend janë pjesë e një “revolucioni me ngjyra” të mbështetur nga Perëndimi, duke e forcuar këtë diskurs përmes mediave proqeveritare.
Sipas monitorimit të mediave të kryer nga DFC për periudhën 1 shtator – 1 dhjetor 2025, në Serbi janë publikuar 423 tekste që përmbajnë narrativin e “revolucionit me ngjyra”. Në shumicën e rasteve, protestat studentore dhe qytetare lidhen drejtpërdrejt me pretendime për destabilizim të shtetit, dhunë dhe përpjekje për rrëzimin e presidentit. Një pjesë e këtyre përmbajtjeve janë publikuar edhe nga mediat shtetërore ruse Sputnik dhe RT, veçanërisht në momente kur Beogradi afrohet politikisht me Moskën.
DFC paralajmëron se ky narrativ shërben si justifikim për presion ndaj universiteteve, shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe aktivistëve, duke krijuar një klimë frike dhe vetëcensure. Etiketimi i aktorëve kritikë si “instrumente të huaja” minon autonominë e tyre dhe dobëson mbështetjen publike për veprimtarinë demokratike.
Një element shtesë shqetësues, sipas analizës, është personalizimi ekstrem i diskursit publik rreth figurës së presidentit Vučić, ku protestat, opozita dhe dhuna paraqiten si pjesë e së njëjtës narrativë destabilizuese, ndërsa qytetarët rrallë shihen si aktorë legjitimë të ndryshimit demokratik.
Sipas DFC-së, normalizimi i narrativit të “revolucionit me ngjyra” përbën rrezik serioz për demokracinë në Serbi dhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në tërësi. Ky diskurs rrit polarizimin, justifikon masa represive dhe e bën shoqërinë më të cenueshme ndaj ndikimeve hibride dhe autoritare.
DFC thekson se ky fenomen duhet trajtuar si çështje e komunikimit strategjik dhe e qëndrueshmërisë institucionale, dhe jo si retorikë e përkohshme politike, pasi pasojat e tij afatgjata minojnë proceset demokratike dhe perspektivën evropiane të rajonit.
https://www.antenam.net/clanak/dfc-narativ-o-obojenim-revolucijama-kao-instrument-delegitimizacije-gradanskih-protesta