Cakolli: Ndarja e mandateve pothuajse e qartë, votat me postë mund të sjellin vetëm lëvizje minimale

Aktuale

Cakolli: Ndarja e mandateve pothuajse e qartë, votat me postë mund të sjellin vetëm lëvizje minimale

Më: 3 janar 2026 Në ora: 17:02
Grafika

Eugen Cakolli nga KDI ka bërë të ditur se pas verifikimit të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, ndarja aktuale e mandateve është: LVV 56, PDK 23, LDK 15 dhe AAK 6. Sipas tij, votat nga diaspora dhe ato me kusht nuk pritet të sjellin ndryshime, ndërsa vetëm votat me postë mund të ndikojnë maksimalisht në 1–2 mandate.

Cakolli vlerëson se skenari më realist në fund të procesit është që LVV të arrijë 57 ulëse, PDK 22, LDK 15 dhe AAK 6 mandate.

Postimi i plotë:

Tashmë që janë verifikuar dhe procesuar të gjitha vendvotimet në nivel vendi, është e qartë se, bazuar në rezultatet aktuale, ndarja e mandateve është: LVV – 56 mandate (të paktën 17 gra); PDK – 23 mandate (të paktën 7 gra); LDK – 15 mandate (të paktën 5 gra); dhe AAK – 6 mandate (të paktën 2 gra).

Votat nga përfaqësitë diplomatike – pavarësisht përqindjes së lartë në favor të LVV-së, e ngjashme edhe me zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk prodhojnë asnjë ndryshim në numrin e mandateve. Njësoj, as votat me kusht, të cilat në përgjithësi ndjekin trendin e votimit në vend, nuk kanë potencial real për të ndryshuar shpërndarjen e ulëseve.

Votat me postë mbeten të vetmet që mund të ndikojnë në rezultat, ndonëse edhe ato, të kufizuara në vetëm maksimalisht 1 deri në 2 mandate. Edhe sikur të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare të arrijnë në kohë dhe të jenë valide (çka historikisht nuk ka ndodhur dhe vështirë se pritet të ndodhë), LVV-së do t’i duhej rreth 80-85% e tyre për ta fituar mandatin e 57-të. Në skenar teorik, për ta fituar edhe mandatin e 58-të, LVV do të duhej t’i fitonte rreth 90% të këtyre votave me postë. Lëvizja potenciale mes mandateve të PDK-së dhe LDK-së varet nga performancat e tyre – me logjikën që partia me koeficientin më të ulët, humbet mandatin e para.

Duke marrë parasysh trendet e deritanishme – jo vetëm të këtyre zgjedhjeve, por edhe të cikleve të kaluara – skenari më realist në fund të procesit mbetet:

• LVV – 57 ulëse

• PDK – 22 ulëse

• LDK – 15 ulëse

• AAK – 6 ulëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat