Rezultatet e përmbledhura: Mbi gjysma e votave për Vetëvendosjen, PDK e LDK në hije

Aktuale

Rezultatet e përmbledhura: Mbi gjysma e votave për Vetëvendosjen, PDK e LDK në hije

Më: 5 janar 2026 Në ora: 16:43
Albin Kurti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dalë forcë e parë me një epërsi të thellë ndaj partive të tjera.

Sipas të dhënave të deritanishme, Vetëvendosje ka marrë 50.65 për qind të votave, që përkthehet në 466,379 vota, duke konfirmuar dominimin e saj në skenën politike.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.34 për qind apo 188,243 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zë vendin e tretë me 13.34 për qind, përkatësisht 122,880 vota.

Pas tyre vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.53 për qind ose 50,906 vota, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 4.56 për qind të votave, që përbëjnë 42,017 vota.

Nën pragun zgjedhor mbeten Nisma Socialdemokrate me 1.62 për qind (14,944 vota), Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) me 0.58 për qind (5,356 vota), si dhe subjekte të tjera me përqindje më të ulëta.

Rezultatet janë ende preliminare dhe pritet që KQZ të vazhdojë me numërimin e votave me kusht, atyre nga diaspora dhe ankesave eventuale, të cilat mund të sjellin ndryshime të vogla në përqindje, por jo në renditjen e përgjithshme politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat