14-vjeçari nga Hasi merr makinën e të atit dhe “zhduket” në Kosovë! Familja kërkon ndihmën e Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Aktuale

14-vjeçari nga Hasi merr makinën e të atit dhe “zhduket” në Kosovë! Familja kërkon ndihmën e Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Më: 6 janar 2026 Në ora: 18:03
Mariglen Dauti

Një familje nga fshati Golaj i Hasit, Kukës, ka kërkuar ndihmën e autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë për gjetjen e djalit të tyre, 14-vjeçar, Mariglen Dauti, i cili ka humbur pas një ngjarje të pazakontë. Sipas denoncimit të bërë nga familjarët, djali ka marrë pa leje makinën e babait të tij, një “Mercedes Benz” me targa AB 379 RY, dhe është larguar nga banesa më datën 5 janar 2026.

Familja ka bërë me dije se hera e fundit që Marigleni është parë ishte në një karburant "Petrol Pomp" në segmentin Pejë - Prishtinë, në orën 16:00 të së premtes, më 5 janar 2026. Pas kësaj, 14-vjeçari është zhdukur dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë.

Në denoncimin e familjes thuhet: "Përshëndetje! Ka humbur një djalë, i mitur 14 vjeç, nga fshati Golaj, Has, Shqipëri, i cili quhet Mariglen Dauti. Pasi mori makinën e babait të tij pa dijeni, makina është një ‘Mercedes Benz’, me targa AB 379 RY. Hera e fundit që u pa ishte në një karburant ‘Petrol Pomp’, në segmentin Pejë – Prishtinë, në orën 16:00 më datën 5.1.2026. Kërkojmë ndihmën e Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë, fëmija është pa dokumente me vete."

Marigleni ka lindur më 29 janar 2012 dhe është në kërkim nga autoritetet e dy shteteve. Policia e Shqipërisë ka nisur menjëherë operacionet për të gjetur të miturin, duke kryer kontrolle në zonat përreth dhe duke shqyrtuar mundësinë që ai të ketë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Më datën 5 janar 2026, familjarët e Mariglenit bënë kallëzim në Komisariatin e Policisë Has, duke njoftuar se i mituri kishte marrë automjetin e babait dhe ishte larguar nga banesa. Pas kallëzimit, u bë shpallja e djalit në kërkim dhe policia ka intensifikuar hetimet.

Materialet proceduriale janë kaluar tashmë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila po merret me çështjen.

Familja Dauti ka apeluar për ndihmën e çdo personi që mund të ketë informacion mbi vendndodhjen e Mariglenit. Ata kërkojnë që autoritetet të veprojnë shpejt dhe të gjejnë djalin e tyre të mitur në mënyrë të sigurt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat