Deputetja e Lëvizjes Vetvëvendosje, Mimoza Kusari, ka reaguar pas akuzave të ngritura në opinion publik lidhur me pjesëmarrjen e saj në takime me përfaqësues serbë të mbajtura në Zvicër.
Sipas Kusarit, këto takime zhvillohen që nga viti 2010, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Në to, sipas saj, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.
Ajo ka theksuar se takimet nuk janë të fshehta, nuk janë negociuese dhe nuk prodhojnë vendime. Përkundrazi, Kusari ka nënvizuar se për transparencë të plotë, listat e pjesëmarrësve, agjendat dhe përfundimet e takimeve janë publike dhe publikohen në faqen zyrtare të organizatës.
Duke iu referuar pjesëmarrjes së saj dhe të deputetes Fitore Pacolli, Kusari ka siguruar qytetarët se në çdo diskutim janë përfaqësuar dhe mbrojtur qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ajo ka mohuar kategorikisht aludimet për vendime apo marrëveshje të fshehta, duke i cilësuar ato si pjesë e një agjende të qëllimshme për dezinformim.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Takimet e organizuara nga CIG (Center for Inclusive Governance), me seli në SHBA dhe të mbështetura nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, zhvillohen që nga viti 2010. Në to kanë marrë pjesë në vazhdimësi përfaqësues të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, me prani të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.
Këto takime nuk janë të fshehta. Aty as nuk negociohet dhe as nuk merren vendime. Për transparencë të plotë, lista e pjesëmarrësve në këto takime që nga fillimi i tyre është publike, së bashku me përfundimet nga secili takim i mbajtur. Pra, agjendat e takimeve, listat e pjesëmarrësve dhe koha e organizimit janë informata që ndahen paraprakisht me institucionet relevante, ndërsa raportet përfundimtare publikohen bashkë me listën e pjesëmarrësve në faqen zyrtare të organizatës:
http://cigonline.net/publication/
Qytetarë të nderuar, ju siguroj se në diskutimet ku kemi marrë pjesë unë dhe kolegia ime, Fitore Pacolli, kemi përfaqësuar dhe mbrojtur qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aludimet dhe pretendimet se në këto takime janë marrë vendime në fshehtësi apo se janë arritur marrëveshje jashtë syve të publikut janë të pavërteta. Duke qenë se këto pretendime paraqiten me një agjendë të qëllimshme njëllosëse, e cila vazhdon edhe në këtë vit të ri, ato përbëjnë dezinformim.
Për më tepër, tendenca për të veçuar përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë dëshmon qartë se qëllimi i raportimeve është ndërtimi i një narracioni të rremë, i cili tash e disa vite synohet t’i servohet publikut.
Ju falënderoj për besimin e madh që i keni dhënë koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e fundit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre pesë viteve. Po ashtu, ju përgëzoj për vigjilencën dhe qartësinë në gjykim, pavarësisht fushatave të egra dezinformuese dhe njëllosëse.
Ju uroj një fillimvit të mbarë!