​PDK: Me veprime institucionale i shfuqizuam 13 ligje antikushtetuese

Aktuale

​PDK: Me veprime institucionale i shfuqizuam 13 ligje antikushtetuese

Më: 9 janar 2026 Në ora: 19:42
Ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shpallen antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024, ligje këto të kontestuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.

Sipas PDK-së, ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare.

“Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes. Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit.

Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kushtetuta është themeli i shtetit dhe se asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë atë në emër të pushtetit momental. PDK mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm atëherë kur i konvenon pushtet”, thuhet në reagim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat