Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Në kuadër të komunikimit të rregullt me trupin diplomatik dhe zhvillimeve të fundit, Kurti dhe Bislimi i kanë informuar të pranishmit për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe për veprimet afirmative që institucionet do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të tyre.
Sipas njoftimit, faza e parë e zbatimit nis sot dhe përfshin një periudhë informimi mbi dispozitat ligjore. Vizitorët në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, ndërsa do të organizohen sesione informuese për qytetarët, fushata mediatike dhe linja telefonike informuese. Kjo fazë do të zgjasë deri më 15 mars, kur pritet të nisë zbatimi i plotë i ligjeve, me qëllim lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.
Kryeministri gjithashtu njoftoi ambasadorët për domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Ai theksoi se ky proces do të realizohet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke marrë parasysh shqetësimet dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.
Në përmbyllje, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke vlerësuar se periudha në vijim është kyçe për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.