Në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, Prokuroria Speciale dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar kanë kërkuar aktgjykim dënues, ndërsa mbrojtja ka insistuar në pafajësi.
Prokurori special, Ilir Morina, në fjalën e tij përfundimtare, ka theksuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor dëshmojnë përfshirjen aktive të të akuzuarit në ngjarjet e rënda të marsit 1999 në fshatin Izbicë.
“Me 28 mars 1999 u ekzekutuan 130 civilë shqiptarë, gratë dhe fëmijët u dëbuan në drejtim të Shqipërisë, shtëpitë u dogjën sistematikisht. I pandehuri Alidemaj vullnetarisht iu bashkohet forcat ushtarake serbe. Ai mori pjesë në veprime që përfshijnë vrasje, tentimvrasje, dëbim masiv”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, roli i Alidemajt ka qenë i rëndësishëm për shkak të njohjes së terrenit dhe banorëve lokalë.
“Provat e administruara tregojnë se i pandehuri ishte banor lokal, njohës i terrenit. Ditën e ngjarjes ishte i armatosur dhe i pranishëm. Mori pjesë aktive në maltretime, plaçkitje, mbikëqyrjen e popullsisë së grumbulluar”, ka deklarar ai. Sipas tij, “prania e një bashkëpunëtori lokal e ka bërë më efikas planin kriminal”.
Aktgjykim dënues ka kërkuar edhe përfaqësuesi i viktimave, avokati Veton Rudaku, i cili ka mbështetur plotësisht qëndrimin e Prokurorisë.
“Mbështes fjalën e prokurorit, kemi ardhur në përfundim se i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale në Masakrën e Izbicës. Dëshmitarët e identifikuan dhe ia bën me gisht si person që e kishin parë në fshatin Izbicë duke u paraprirë forcave ushtarake serbe...I akuzuari në asnjë rast nuk shpreh keqardhje për ngjarjen e rëndë. I propozojmë Gjykatës të shpallë aktgjykim dënues”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, mbrojtja e Muhamet Alidemajt ka kërkuar aktgjykim lirues. Avokati Millosh Deleviq, si dhe avokati tjetër mbrojtës Dejan Vasiq, kanë insistuar se i mbrojturi i tyre nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Gjykata pritet të marrë vendim pas shqyrtimit të argumenteve të palëve.