Luka Mishetiq i cili përfaqëson Hashim Thaçin ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikatat e UÇK-së dhe me atë se ato kanë pasur mesazhe që kanë nxitur krimin.
Mishetiq ka thënë se kjo nuk qëndron sepse nëse do të ishte e kundërta, atëherë ndërkombëtarët do ta dinin dhe do e thonin atë që dinin kur kanë ardhur që të dëshmojnë në këtë rast gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit sepse në të kundërtën dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje do ta kishin ditur këtë dhe do e kishin bërë me dije për ju”, tha ai.
Ai tha se ZPS-ja ka dështuar që të jep prova që komunikatat kanë quar në avancimin e politikës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Mbrojtja thotë se Prokuroria duhet të japë argumente të shkakut dhe pasojës se pse komunikatat pretendon që çuan në kryerjen e krimeve në aktakuzë.
Përveç kësaj, Mishetiq thotë se Prokuroria mbështetet në deklaratat e Rrustem Mustafës- Remit.
“ZPS-ja së pari mbështetet në provat e dhëna nga komandant Remi për të mbështetur pretendimet që komunikatat ishin shumë të rëndësishme për krimet e ngritura në aktakuzë. Siç thuhet nga ZPS-ja, Remi ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me Shtabin e Përgjithshëm”, tha ai duke shtuar se pse duhej të orientohej Remi përmes komunikatave.
Këto pretendime sipas mbrojtjes, Prokuroria i bën pasi s’ka prova të drejtpërdrejta që dëshmojnë komunikimet e Shtabit me komandantët e zonave lidhur me mesazhe të tilla.