Drizan Shala: Beogradi po përdor frikën ndaj FSK-së për të maskuar militarizimin e Serbisë

Aktuale

Drizan Shala: Beogradi po përdor frikën ndaj FSK-së për të maskuar militarizimin e Serbisë

Nga: A.SH Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 16:05
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbia, i cili paralajmëroi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të përdoret kundër serbëve në Kosovë.

Sipas Shalës, kjo deklaratë nuk është shqetësim teknik apo ushtarak, por pjesë e një strategjie politike për të delegjitimuar shtetësinë e Kosova dhe për të justifikuar një proces të përshpejtuar militarizimi në Serbi.

Ai thekson se narrativa për “rrezikun nga FSK” shërben si mbulesë për investimet e mëdha ushtarake të Beogradit, përfshirë dronë luftarakë, raketa me rreze të gjatë dhe modernizim të aviacionit, duke e pozicionuar Serbinë si aktorin që po armatoset më shpejt në rajon.

Në anën tjetër, Shala vlerëson se FSK mbetet një forcë me mandat mbrojtës, e ndërtuar në koordinim me partnerët perëndimorë dhe në prani të KFOR, duke e cilësuar pretendimin për kërcënim si propagandistik dhe jo faktik.

Shkrimi i plotë:

Propaganda e Frikësimit nga Beogradi: Shefi i Ushtrisë Serbe Shënjestron FSK-në për të Maskuar Militarizimin e Serbisë !

Deklarata e fundit e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të përdoret kundër serbëve në Kosovë, nuk është thjesht një qëndrim ushtarak apo një shqetësim teknik. Ajo është pjesë e një narrative të qëndrueshme politike dhe strategjike që Serbia e ka ndërtuar prej vitesh:

❗️ "Delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës dhe justifikimin e një procesi të shpejtë militarizimi".

Në pamje të parë, deklarata përpiqet të krijojë perceptimin se Kosova po shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe se transformimi i FSK-së përbën rrezik për komunitetin serb. Por një analizë më e thellë tregon se thelbi i mesazhit lidhet me FSK-në si forcë ushtarake, si dhe me balancën e sigurisë në rajon dhe me përpjekjen e Serbisë për të justifikuar investimet e mëdha në armatim dhe doktrinë të re ushtarake.

Në planin politik, përdorimi i terminologjisë që mohon legjitimitetin e FSK-së është pjesë e strategjisë së njohur për të mbajtur gjallë narrativën e Rezolutës 1244 dhe për ta paraqitur Kosovën si faktor destabilizues. Në të njëjtën kohë, përmendja e rrezikut ndaj serbëve shërben si mekanizëm mobilizues për opinionin publik në Serbi dhe si instrument presioni ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

❗️Por dimensioni më i rëndësishëm i kësaj deklarate është ai i mbrojtjes. Në të njëjtin diskurs, Serbia liston zhvillimet e saj ushtarake: dronë luftarakë, raketa me rreze të gjatë, modernizim të aviacionit dhe projekte për digjitalizimin e ushtrisë. Këto nuk janë kapacitete të nevojshme për menaxhimin e krizave lokale, ato janë elemente të një doktrine moderne të luftës dhe të një strategjie të deterrencës rajonale.

Në këtë kontekst, narrativa për “rrezikun nga FSK” shërben si mbulesë politike për një realitet tjetër:

📍Serbia është sot aktori që po militarizohet më shpejt në Ballkan. Rikthimi i shërbimit ushtarak dhe investimet në kapacitete të goditjes në thellësi strategjike tregojnë një orientim të qartë drejt forcimit të fuqisë ushtarake konvencionale.

Në anën tjetër, realiteti i kapaciteteve të FSK-së mbetet i qartë: një forcë e vogël, me mandat mbrojtës, e ndërtuar në koordinim me partnerët perëndimorë dhe e kufizuar nga prania aktuale e KFOR-it. Pretendimi se kjo forcë përbën kërcënim ushtarak për Serber & Serbinë nuk qëndron në aspektin faktik , ai qëndron vetëm në aspektin politik dhe propagandistik.

Kjo e bën deklaratën më shumë një instrument të diplomacisë së frikësimit sesa një vlerësim real të rrezikut. Në vend që të pasqyrojë një kërcënim konkret, ajo synon të krijojë një perceptim kërcënimi – dhe perceptimi, në strategjinë e sigurisë, shpesh është po aq i rëndësishëm sa realiteti.

Në fund, pyetja thelbësore nuk është nëse FSK përbën rrezik për Serbinë. Pyetja është pse Serbia ka nevojë të krijojë këtë perceptim. Përgjigjja duket gjithnjë e më e qartë: për të justifikuar një proces të thellë militarizimi dhe për të ndërtuar narrativën se po armatoset në emër të mbrojtjes, ndërkohë që realiteti tregon një përpjekje për rritje të fuqisë ushtarake në shkallë rajonale.

❗️Sepse në thelb, zhvillimi i FSK-së është duke ndjekur një trajektore të qartë euro-atlantike. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me NATO, rritja e ndërveprueshmërisë dhe thellimi i partneritetit me Tiranën dhe Zagrebin e vendosin këtë forcë në një arkitekturë mbrojtëse që synon stabilitetin rajonal dhe jo konfrontimin. Ky orientim e bën FSK-në pjesë të një rrjeti sigurie kolektive që forcon paqen dhe rrit besueshmërinë e Kosovës si kontribuese në sigurinë e rajonit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat