18 vjet shtet, mbrojtja e luftës çlirimtare në qendër të fjalimeve të liderëve të shtetit

Aktuale

18 vjet shtet, mbrojtja e luftës çlirimtare në qendër të fjalimeve të liderëve të shtetit

Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 10:58 Përditësuar në ora: 12:10 më 17.02.2026
Kuvendi i Kosovës

​Kurti: Krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë.

Ai tha se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal.

Kurti në seancën solemne të Kuvendi i Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, tha se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Slobodan Millosheviqit, duke shtuar se kërcënim për përsëritje të tyre është Serbia e Aleksandar Vuçiqit.

Kurti: Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk qëndrojnë

“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes shekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krimet kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare i ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritje të tyre sot është Serbia e Vuçiqit. Barazia mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është e paqëndrueshme dhe e papranueshme për ne”, tha Kurti.

Krahas kësaj, Kurti tha se Kosova nuk do të lëshojë pe kur është fjala për çështjen e sovranitetit shtetëror.

Kurti: Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror

“Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është burim dhe shprehje e sovranitetit të Kosovës”, theksoi Kurti. 

Osmani për ish-krerët e UÇK-së: Çdo përpjekje për njollosje të luftës, e papranueshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo në foltoren e Kuvendit, ku ishte vendosur mbishkrimi “UÇK”, tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët që po gjykohen në Gjykatën Speciale janë ngritur për liri, andaj çdo përpjekje për njollosje të luftës është e papranueshme.

E para e vendit tha se çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbia e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes në rajon.

Osmani: Çdo përpjekje për njollosje të luftës është e papranueshme

“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e padrejtë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së të Kosovës që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Ndaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes afatgjatë në rajon... Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Asnjë dallim yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare”, tha ajo.

Krahas kësaj, presidentja Osmani tha se pavarësia e Kosovës qëndron në vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova si dhe në luftën e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Osmani: Pavarësia e Kosovës qëndron në vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe Adem Jasharit

“Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, luftuan dhe asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot, me respektin më të thellë, përulemi para kujtimit të gjithë burrave dhe grave që ranë për këtë ditë, në mënyrë që Kosova të jetë republikë. Në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë... Historia jonë më tej është brumosur në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij heroike dhe të gjithë burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi presidentja Osmani. 

Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet

Kryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu, tha se në themelin e republikës qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim, duke shtuar se populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale.

“Në këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e republikës sonë. Ajo që buroi nga populli. Që është sa mundësia edhe e vërteta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për dinjitet dhe liri. Ajo ishte kundërpërgjigje në rrethanat e një okupimi të ashpër, kur dhuna sistematike ndaj popullit shqiptar po merrte përmasa shkatërruese. UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe”, tha ajo.

Haxhiu nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca solemne në shënim të 18-vjetorit të UÇK-së tha se lufta e UÇK-së nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit të shtypjes.

“Aq shumë kishte besim në drejtësinë e luftës sonë, saqë bota demokratike asokohe intervenoi e më vonë edhe e mbështeti pavarësinë e vendit tonë. Ne i kujtojmë këto të vërteta sepse populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale. Dhe këtë gjykim, së pari sepse anashkalon vetë rrethanat në të cilat u zhvillua lufta jonë çlirimtare. Lufta jonë nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit e shtypjes, ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik. Luftë për të mbrojtur tokën tonë, pragun e shtëpisë, familjet, qytetarët civilë të paarmatosur në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta deformuar atë”, tha ajo.

Kurti: S’lëshojmë pe për sovranitetin!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot fjalën e tij para Kuvendit, në ceremoninë solemne në ndër të ditës së madhe për shqiptarët, atë të Pavarësisë. Në këtë 18 vjetor, Kurti tha se këtë vit risi e veçantë është kalendari kombëtar, ndërsa shtoi se me pavarësinë dhe republikën e Kosovës nuk bëjnë kompromis.

“Data e sotme iu shtua kalendarit tonë kombëtar. Më 17 shkurt u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe Europë.

Dita e sotme është përkujtim i të gjithë grave burrave e fëmijëve që sakrifikuan gjithçka.

Ata kishin dëshirë për liri. Republika është në radhë të parë institucion i lirisë.

Kur bie fjala te sovraniteti e nuk mund të lëshojmë pe

E kujtojmë sot qendresën paqësore të 1990 dhe UÇK. Përkulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi të lartësojmë Republikën edhe në emrin e tyre.

Brengosemi që krerët e UCCK po akuzohen padrejtësisht se morën armët për liri. Akuzat në Hagë për krime kundër njerëzimi nuk qendrojnë.

Krime kundër njerëzimit ka kryer Serbia e Milosheviçit. Barazimi mes krerët e UÇK dhe një regjimi gjenocidal është e pa pranueshme”, tha ai.

Begaj nga Kuvendi: Sot është një ditë e madhe, Kosova mbush 18 vjeç

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tha se çdo shqiptarë kudo që ndodhet sot ndihen pjesë e festës, gëzimit, e urimit dhe krenarisë.

Deklaratat , ai i bëri në seancën solemne që po mbahet në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Sot është një ditë e madhe, sot Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin format e përgjegjësisë, në jetën e një shteti ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet  pakthyeshëm”.

“Kosova ishte vendi ku liria vritje, sot është vendi ku liria funksion, liria frymëzon”, deklaroi kreu i shtetit shqiptar.

Osmani: Pavarësia e Kosovës u fitua me gjak, e u ndërtua nga ata që u luftuan por asnjëherë nuk u nënshtruan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në seancën solemne me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka thënë se pavarësia u fitua me mund e gjak, e u ndërtua nga ata që u persekutuan u luftuan por që kurrë nuk u nënshtruan.

“18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare.

Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë dhe me durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dëbuan, u luftuan, por asnjëherë nuk u nënshtruan”, tha Osmani.

Nis seanca solemne në Kuvend, intonohet himni shtetëror

Ka filluar seanca solemne në Kuvendin e Kosovës me rastin e kremtimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë seancë prezente është presidentja Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Rifat Jashari e diplomatë të huaj.

Video:

Përgatitje solemne në Kuvend për Ditën e Pavarësisë, Rifat Jashari i pranishëm mes figurave kryesore

Pas pak pritet të mblidhet Kuvendi i Kosovës për të mbajtur seancën solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në përgatitjet e fundit janë parë shumë personalitete politike dhe institucionale që po u bashkohen deputetëve dhe ministrave. Ndër të pranishmit është edhe Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, një figurë simbolike për sakrificën dhe lirinë e Kosovës.

Gjatë përgatitjeve, deputetët janë parë duke u fotografuar me të pranishmit, duke treguar atmosferë festive dhe përkushtim ndaj shënimit të kësaj date historike.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përshëndetur ngrohtësisht me përfaqësuesin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari

Shtrëngim duarsh, e buzëqeshje në fytyrë, kështu shihen Jashari e Haradinaj në sallën e Kuvendit të Kosovës kur edhe pritet të mbahet seanca solemne për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat