Mungesa e kërkesave nga institucionet, Komisioni për Administratë Publike nuk propozon ndryshime në buxhet

Aktuale

Mungesa e kërkesave nga institucionet, Komisioni për Administratë Publike nuk propozon ndryshime në buxhet

Më: 18 shkurt 2026 Në ora: 10:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Me shtatë vota “për”, dy kundër dhe një abstenim Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal njofton komisionin funksional për buxhet, punë dhe transfere se nuk ka rekomandime as amendamente në projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.

Anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu tha se nuk e sheh të arsyeshme të merret ndonjë vendim lidhur me buxhet pasi nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga institucionet përkatëse.

“Megjithatë, ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë, qoftë nga institucionet e pavarura, qoftë nga ministritë përkatëse për shtim buxheti, prandaj edhe nuk jemi të obliguar që të marrim ndonjë vendim sot për rritje të buxhetit ose për buxhet shtesë. Duke e pasur parasysh që ndoshta afatet kohore për ne si deputetë kanë qenë shumë të shkurtra, unë mendoj që agjencionet ose institucionet e pavarura kanë pasur mundësi qysh më herët që t’i dërgojnë kërkesat e tyre për nevojat e tyre, sepse ata i dinë më saktë se ne se për çfarë kanë nevojë e a kanë nevojë vërtetë për shtesë buxheti ose për buxhet shtesë për ato institucione. Prandaj, përderisa ne sot nuk kemi asnjë kërkesë të adresuar si komision, nuk kemi asnjë obligim dhe asnjë përgjegjësi nëse atyre nesër ju mungon buxheti. Kështu që më vjen keq, sepse kemi dëgjuar lajme të ndryshme, kemi dëgjuar kërkesa të ndryshme periferike, por jo institucionalisht; nuk na është drejtuar asnjë kërkesë dhe kjo është paksa shqetësuese me thënë të drejtën. Unë kam prit që sot të kemi material për të shqyrtuar, do të kemi kërkesa nga institucionet dhe unë besoj fort që fryma e këtij komisioni ekziston edhe fryma e bashkëpunimit dhe kishim mujt që të paktën si komision t’i adresojmë në mënyrë unanime ato kërkesa dhe ndoshta do të kishim marrë mbështetjen edhe në Kuvend. Kështu që, përderisa ne nuk kemi ndonjë kërkesë, unë mendoj që nuk obligohemi që të bëjmë kërkesa shtesë“, tha Musliu.

Ndërsa anëtarja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se meqenëse nuk ka kërkesa atëherë nuk ka nevojë për rritje të buxhetit.

U pajtuam që sot në orën 17:00 të jetë afati i fundit që deputetët e këtij komisioni të dërgojnë amendamente për projektligjin për buxhet. Kjo për shkak se nesër deri në orën 12:00, ne si komision duhet të dorëzojmë amendamentet tona në komisionin për buxhet. Kjo siç u tha, është për shkak të kohës shumë të shkurtër që kemi në dispozicion. Nuk ka pasur asnjë kërkesë deri tani nga asnjë institucion për buxhet shtesë, kjo ndoshta për shkak të kohës shumë të shkurtër që kishim si deputetë, por edhe agjencionet që janë nën fushëveprimin e këtij komisioni. Meqenëse nuk ka asnjë kërkesë, ne nuk kemi obligim që të bëjmë kërkesë për rritje të buxhetit. Ky është qëndrimi ynë si komision”, tha Kadrijaj.

Në rend të ditës ka qenë vetëm një pikë: Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-001  mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat