Familja e Haki Imerit kundër sulmeve ndaj Speciales: Mos e paragjykoni drejtësinë – edhe Vjosa Osmani e ka votuar

Aktuale

Familja e Haki Imerit kundër sulmeve ndaj Speciales: Mos e paragjykoni drejtësinë – edhe Vjosa Osmani e ka votuar

Nga: M.L. Më: 18 shkurt 2026 Në ora: 13:21
Presidentja Vjosa Osmani në protestë në Prishtinë; emri i saj u përmend në reagimin e familjes Haki Imeri për votimin e Gjykatës Speciale.

Familja e veprimtarit të LDK-së, Haki Imeri, i vrarë në vitin 1999 ka reaguar në lidhje me marshin protestues të mbajtur dje në Prishtinë me moton “Drejtësi, jo politikë.

Në një postim të postuar nga faqja “Haki Imeri” thuhet se është e drejtë demokratike e qytetarëve që të protestojnë, por se nuk është etike që të paragjykohet drejtësia, paraveshit se çfarë vendimi mund të marr gjykata për të akuzuarit.

“Miq,

-Në një demokraci funksionale, çdo qytetar ka të drejtë të protestojë për gjithçka që ai/ajo/ata e konsiderojnë të drejtë dhe të arsyeshme.

-E drejta për protestë është pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes dhe garantohet me norma ligjore dhe juridike.

-Megjithatë, nuk është etike që drejtësia të paragjykohet përpara se ajo të japë verdiktin përfundimtar për një çështje gjyqësore që është ende në zhvillim.

-Pavarësisht nëse gjykata konstaton se të pandehurit janë të pafajshëm apo fajtorë, vendimi nuk duhet të paragjykohet, por të pranohet si rezultat i një procesi ligjor dhe si akt i drejtësisë institucionale.

-Vetëm kështu ruhet besimi në shtetin ligjor dhe në pavarësinë e gjyqësorit.

-Prandaj, duhet të jemi vetëdijshëm dhe të mos ndikohemi nga propaganda ditore apo nga emocionet e momentit.

-Duhet të presim me maturi verdiktin përfundimtar, sepse të pandehurit mund të dënohen ose mund të lirohen ; cilido qoftë vendimi i gjykatës, ai duhet të pranohet dhe të respektohet si vendim i institucionit te drejtësisë”, thuhet në reagimin e familjes Imëri.

Kjo familje konsideron se sulmet ndaj Speciales, dëmtojnë besimin e qytetarëve në figurat që e kanë votuar atë. Madje, familja Imeri ka përmendur edhe rastin e presidentes Vjosa Osmani që kishte votuar pro speciales.

“-Sulmet, shpifjet linçimet publike ndaj një gjykate e cila është themeluar dhe votuar nga vetë përfaqësuesit institucionalë dëmtojnë seriozisht besimin e qytetarëve në këto figura që vete kane themeluar këtë gjykate dhe votuar , p.sh Vjosa Osmani edhe ka lobuar edhe ka votuar këtë gjykate ...

-Të hedhësh sot dyshime mbi legjitimitetin e saj për arsye politike të momentit krijon perceptimin e instrumentalizimit të një çështjeje të ndjeshme për përfitim personal- pushteti”, theksohet në reagim.

Megjithatë, sipas kësaj familjeje, deklaratat dhe akuzat e tilla nuk ndikojnë në vendimmarrjen e gjykatës dhe as në fatin juridik të të pandehurve.

“-Përkundrazi, ato mund të japin përshtypjen se fatkeqësia e tyre po përdoret si mjet për kapital politik.

-Kjo qasje perceptohet si e pandershme dhe e dëmshme për kulturën demokratike.

-Ndërhyrja në procese gjyqësore nga pozita të larta shtetërore mund të interpretohet si presion ndaj drejtësisë dhe si cenim i parimit të ndarjes së pushteteve.

-Për këtë arsye, Kosovës i nevojitet President/E që qëndron mbi interesat e ngushta personale politike, që mbron parimet kushtetuese dhe që forcon shtetin ligjor”, përfundon reagimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat