Bajrami-Kurtit: Nëse mendon me zgjedhë president me shantazh të mendohet dy herë, nuk përsëritet më 2021-ta

Aktuale

Bajrami-Kurtit: Nëse mendon me zgjedhë president me shantazh të mendohet dy herë, nuk përsëritet më 2021-ta

Më: 2 mars 2026 Në ora: 18:17
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha, mungesë serioziteti në procesin për zgjedhjen e presidentit.

Ajo deklaroi se Kurti ka zhvilluar dy takime me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së pa paraqitur asnjë propozim konkret apo emër për president, duke i cilësuar këto si takime formale pa rezultat.

Shkrimi i plotë:

Kurti takon që dy herë kryetarët e LDK-së dhe PDK-së pa dhënë asnjë propozim, asnjë emër, takime sa për t'i treguar njëri-tjetrit që nuk përkrahin kandidatë partiakë.

LVV e cila bashkë me minoritete i ka 66 vota në Kuvend, është përgjegjësja kryesore për zgjedhjen e presidentit dhe i ka pasur dy alternativa: e para duke e bërë pjesë të Qeverisë ndonjëren prej partive politike në mënyrë që më vonë të siguroheshin votat edhe për president ose tani duke propozuar një president apartiak - një që pranon të bëhet president. Por, Kurti as s'e ka bërë të parën as s'po e bën të dytën dhe nëse mendon që ka me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë, se gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta.

E nëse shkojmë në zgjedhje krejt e dimë që zgjedhjet nuk janë zgjidhje: kemi me mbetë pa institucione funksionale me muaj të tërë, me shpenzu prapë dhjetëra miliona euro taksa të qytetarëve dhe do të vijmë saktë në pikën ku jemi sot - kjo është papërgjegjësi totale.

Unë ju bëj thirrje qytetarëve le t'i vezhgojnë sjelljen e Kurtit dhe le ta kuptojnë se ai veç hallin e tyre nuk e ka. Ai nuk e ka hallin e faturave të energjisë që pritet të rritën prapë, as të arsimit, as të shëndetësisë as atë të migracionit. Kurti dëshiron ta fusë nën kontrollë secilin institucion dhe mandej të sillet sikur të ishte mbret.

Kosova nuk guxon të mbetet peng i dy as tre emrave për president, jam e sigurt, se ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive politike më shumë se brenda tyre, vetëm duhet vullnet e guxim, duhet me qënë në gjendje me vendosë interesin e vendit e interesin e qytetarit para atij personal e të partisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat