Liderët për Epopenë e UÇK-së dhe rënien e familjes Jashari: Liria u shkrua me gjak, mësim i përhershëm për lirinë

Aktuale

Liderët për Epopenë e UÇK-së dhe rënien e familjes Jashari: Liria u shkrua me gjak, mësim i përhershëm për lirinë

Më: 5 mars 2026 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 10:51 më 05.03.2026
Mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës

Selimi: Kushdo që tenton të rishkruajë historinë në gjykata, përgjigja është – ne të gjithë jemi Jasharë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, tha se Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sakrifica për të.

Gjatë fjalës së saj para deputetëve, ajo theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj.

“Në historinë tonë të lavdishme, 5 marsi dhe Epopeja e UÇK-së janë pikëtakimi ynë ku bashkohemi dhe reflektojmë mbi unitetin dhe vetëdijen kombëtare. Kjo datë mbledh njerëzit e mirë dhe patriotë, pa dallime. Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të Adem Jashari, i familjes Jashari dhe i luftëtarëve të UÇK-së, na bën të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu dhe si duhet t’i dalim zot çdoherë kur ka nevojë për ne. Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për të gjithë njerëzimin”, tha Selimi.

“Kujtimi për dëshmorët na mban të freskët dhe na bën të paluhatur në rrugën e duhur për të ecur përpara. 5, 6 dhe 7 marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës sonë, Epopeja e UÇK-së është edhe e sotmja, e cila na rrëfen të ardhmen tonë të dinjitetshme. Prandaj, lufta e lavdishme çlirimtare ka nevojë të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj, kur sulmohet lufta e drejtë dhe rrjedhjet e saj, edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme”, shtoi ajo.

Në fund, deputetja Selimi pati dy fjalë edhe për ata që tentojnë ta rishkruajnë historinë e UÇK-së në salla gjyqi, atje ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e pesë vjet.

“Kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe të Adem Jasharit, duke e trajtuar nëpër salla gjyqi, përgjigja jonë është, ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharët”.

Hamza: Marsi i vitit 1998 nuk është vetëm një betejë, por mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, fjalimin e tij e nisi duke e përshëndetur Rifat Jasharin dhe familjen Jashari.

Ai përshëndeti edhe presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, deputetët dhe mysafirët.

Në fjalën e tij, Hamza tha se tri ditët e fillim-marsit të vitit 1998 nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë, por janë mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë.

“Kanë kaluar 28 vjet nga ato 3 ditë të marsit që ndryshuan përgjithmonë fatin e Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së vet përballë një ushtrie të tërë pushtuese. Por ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë, por janë mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë, sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike. Historia shkruhet nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen. Dhe në ato tri ditë të marsit në Prekat, historia e Kosovës mori pikërisht këtë formë: Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i ndërgjegjes dhe qëndresës së një populli të tërë”, tha Hamza në fjalën e tij.

Ai kërkoi që ngjarjet e asaj kohe duhet kujtuar gjithmonë në tërësinë e saj.

Kurti: Në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe gjak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është akti më i madh i historisë sonë kombëtare.

“Në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak. Toka u bë altar i lirisë dhe një familje u bë simbol kombëtar.

Figura e kryekomandantit legjendar Adem Jashari, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe të bashkëluftëtarëve të tij, u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin”, tha Kurti.

Osmani: Tri ditët e Epopesë, janë histori e shkruar me qëndresë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur në seancën solemne që po mbahet në nder të Epopesë së UÇK-së.

Ajo foli për rëndësinë historike të datave 5, 6 dhe 7 mars, duke thënë se tri ditët e Epopesë, janë histori e shkruar me qëndresë.

“Marsi simbolizonte luftën dhe guximin… Ishte muaji i përballjeve që vendosën drejtimin e historisë sonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Atje, qëndresa, sakrifica dhe heroizmi i familjes Jashari vendosën themelet e së ardhmes sonë.

Në atë betejë të Kullave në Prekaz qëndroi komandanti legjendar Adem Jashari, i cili, së bashku me familjen e tij, zgjodhi lirinë para frikës dhe nderin para jetës.Tri ditët e Epopesë, janë histori e shkruar me qëndresë para së cilës përkulemi sot”, tha Osmani mes tjerash.

Kurti: Epopeja e UÇK-së, kthesë vendimtare drejt lirisë dhe pavarësisë

Kryemnisitri i Kosovëvs, Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarjet që i hapin shteg të ardhmës. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë e Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetën kur për tri ditë e tri netë rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone një shteti policor e okupator. Ani se familja Jashari ishte rrethuar shumë fish nga mira forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve. Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë, liria, sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo. Këtë ngjarje bënë të pavdekshme vendimi ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar”, tha Kurti.

Sipas tij, burra, gra dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga krye komandanti Adem Jashari.

“Ata qëndruan tok së bashku nga bindja se liria kërkon sakrifice e cila nis nga vetja. “Me 5 mars 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pa ndërprerje. Ishte një qëndresë e organizuar e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore. Pas atyre tre ditëve, lufta në Kosovë mori tjetër karakter. U rrit mobilizimi njerëzor, u forcua legjitimiteti i rezistencës dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe ndërkombëtare” tha Kurti.

Për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kjo mbledhje do të mbahet me fillim nga ora 09:00.

Në njoftim thuhet gjithashtu se nga ora 12:00, kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Po ashtu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar para disa ditësh se sot do të mbahet seancë solemne në nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat