Rreshtimi i kuadrove për nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti: Rrethimi i tretë i Prekazit ishte moment vendimtar për luftën çlirimtare

Aktuale

Rreshtimi i kuadrove për nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti: Rrethimi i tretë i Prekazit ishte moment vendimtar për luftën çlirimtare

Më: 5 mars 2026 Në ora: 07:45 Përditësuar në ora: 12:56 më 05.03.2026
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë manifestimit të Epopeja e UÇK-së

Kurti: Epopeja e UÇK-së, ngjarje përcaktuese në historinë moderne të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Epopene e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në manifestimin që po zhvillohet në Kazermën “Adem Jashari”.

Në fjalën e tij, Kurti foli për rrjedhën e ngjarjeve që i paraprinë luftës çlirimtare dhe për rolin e familjes Jashari në rezistencën kundër regjimit serb.

Ai theksoi se nga fundi i vitit 1997, pas përballjeve të hapura me forcat serbe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shpall publikisht më 28 nëntor, ndërsa lufta e armatosur në Kosovë po shndërrohej nga një mundësi e largët në një realitet të pashmangshëm.

Sipas Kurtit, sulmi i dytë i policisë serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 22 janar 1998, e bëri atë shënjestër të hapur të regjimit serb, ndërsa vendosmëria e familjes e rikonfirmoi qëndrueshmërinë e saj që nga rrethimi i parë në dhjetor të vitit 1991.

“Rezistenca e armatosur kundër shtetit kriminal serb ende shihej si një rrugë pa shpresë për sukses. Madje, deri edhe tre muaj pas daljes publike të UÇK-së dhe një muaj pas sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, shumëkush besonte se lufta ishte e shmangshme”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se masakrat e 25 shkurtit 1998 në Likoshan dhe Qirez e zbuluan qartë projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë.

Sipas tij, rrethimi i tretë i Prekazit, pesë ditë më pas, shënoi momentin vendimtar.

“Rrethimi i tretë i Prekazit ishte kapërcim i plotë i kufirit mes rrugës së zgjidhjes paqësore diplomatike dhe rrugës së luftës e kryengritjes së armatosur çlirimtare”, deklaroi Kurti.

“Në historinë moderne të Kosovës Epopeja e UÇK paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovës përgjatë shekullit XX-të. Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e epopenë e saj e cila është ngritur përreth rezistencës të armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari 5 ,6  dhe 7 mars 1998 si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës të dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha tutje Kurti.

Manifestimi për Epopene e UÇK-së po mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, në prani të familjes Jashari, krerëve institucionalë, përfaqësuesve të FSK-së dhe familjarëve të dëshmorëve.

Osmani: Kazerma “Adem Jashari” simbol i sakrificës dhe lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë manifestimit të Epopeja e UÇK-së, deklaroi se Kazerma “Adem Jashari” qëndron krenare mbi tokën e lirë të vendit.

Duke folur para pjesëtarëve të Forca e Sigurisë së Kosovës, ajo theksoi se FSK-ja është pasardhëse e denjë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Në këtë tokë ku dikur u ngritën nga krisma të armëve të rënda për lirinë, sot qëndron krenare kazerma ‘Adem Jashari’, një emër që nuk është thjesht emërtim institucioni, por është mbi të gjitha një amanet.

Është përkujtim i përjetshëm i një figure që është bërë simbol i përjetësisë kombëtare – komandantit legjendar Adem Jashari dhe i gjithë familjes Jashari. Ata nuk zgjodhën rrugën e lehtë, por zgjodhën sakrificën, përballjen dhe mbi të gjitha frymëzimin”, tha Osmani.

Presidentja rikujtoi gjithashtu se në Prekaz, komandanti legjendar dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në një kështjellë rezistence, ndërsa gjaku i tyre, sipas saj, u bë burim i jetës dhe i pavdekësisë për vendin.

“Në Prekaz, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në kështjellë rezistence. Gjaku i tyre u bë burim i jetës dhe i pavdekësisë sonë” deklaroi Osmani.

Presidentja Osmani parakalon para ushtarëve të UÇK-së

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka parakaluar para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Aty pas pak do bëhet rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”.

Në ceremoni janë të pranishëm  po ashtu kryetarë komunash, përfaqësues diplomatikë, ministra dhe deputetë.

Gjithashtu, pjesë e aktivitetit janë edhe familjet e dëshmorëve, përfshirë familjen e Adem Jashari.

Për nder të Epopesë së UÇK-së, FSK rreshton kuadratet në kazermën “Adem Jashari”

Me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbajë një ceremoni të rreshtimit të kuadrateve të saj në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, ceremonia zyrtare do të mbahet duke filluar nga ora 12:00.

“Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës do të rreshtojë kuadratet e saj, në ceremoninë zyrtare që do të mbahet të enjten me 5 Mars 2026 në ora 12:00 në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Manifestimi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët si dhe të pranishëm do të jenë krerët më të lartë shtetërorë dhe mysafirë të ftuar”, thuhet në njoftimin e FSK-së. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat