Nën patronatin e kryetares Haxhiu në Kuvend u hap ekspozita 'Tri ditë që ndryshuan historinë'

Aktuale

Nën patronatin e kryetares Haxhiu në Kuvend u hap ekspozita 'Tri ditë që ndryshuan historinë'

Më: 6 mars 2026 Në ora: 18:48
Albulena Haxhiu

Në kuadër të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën patronatin e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu, në hollin e Kuvendit u hap ekspozita me fotografi: “Tri ditë që ndryshuan historinë”.

Në fjalën hapëse kryetarja Albulena Haxhiu tha se ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë” na kthejnë në datat 5, 6 dhe 7 mars të para 28 viteve, ditë ato që shënuan një kthesë të pakthyeshme në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtoi kryetarja Haxhiu, na kujton se liria erdhi nga guximi, sakrifica dhe besimi i palëkundur se Kosova meriton të jetojë e lirë.

“Këto tri ditë janë simbol i sakrificës, qëndresës dhe i vendosmërisë së një populli që zgjodhi lirinë mbi gjithçka tjetër. Ato ditë në Prekaz u shkrua një ndër kapitujt më të dhimbshëm, por edhe më krenarë të historisë sonë”, tha kryetrarja Haxhiu gjatë fjalës së saj.

Fotografitë e prezantuara në ekspozitë janë realizuar nga fotografët Ridvan Slivova dhe Bekim Shyti në marsin e vitit 1998, pas sulmeve të forcave serbe mbi familjen Jashari në Prekaz të Drenicës.

Kryetarja Haxhiu theksoi se këto fotografi që ruhen nga Instituti për Krime të Luftës dhe që disa nga to prezantohen për herë të parë në publik, janë më shumë se dokumente vizuale dhe kontribut i çmuar për kujtesën tonë kolektive dhe për të vërtetën tonë historike.

“Kujtesa është përgjegjësi dhe ruajtja e së vërtetës është detyrë e brezave. Kjo ekspozitë na kujton se historia nuk është vetëm e kaluar, por ajo është themel mbi të cilin ndërtohet e ardhmja”, tha kryetarja Haxhiu, duke shtuar që kjo ekspozitë të jetë një moment reflektimi, nderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Një fjalë rasti në hapje të ekspozitës mbajtën edhe kryeministri Albin Kurti dhe drejtori i Institutit për Krime të Luftës, Atdhe Hetemi.

Në hapjen e ekspozitës “Tri ditë që ndryshuan historinë”, morën pjesë edhe deputetë, ministra, kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Justina Shiroka-Pula, ambasadorë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mysafirë tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat