Drejt dënimit maksimal? Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë - sot fjalët e fundit

Aktuale

Drejt dënimit maksimal? Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë - sot fjalët e fundit

Më: 17 prill 2026 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 15:46 më 17.04.2026
Naim Murseli

Naim Murseli betohet se nuk e kreu, e as e pagoi, vrasjen e Liridona Ademaj

Naim Murseli, i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, u betua, edhe në seancën e së premtes të Gjykatës Themelore në Prishtinë, se nuk e ka kryer e as nuk e ka organizuar likuidimin e saj.

Murseli: Behgjet Pacolli nuk ka lidhje me këtë rast

“Unë gjatë këtyre viteve prej ngjarjes jam akuzuar për një krim shumë të rëndë të cilin nuk e kam kryer unë nuk kam organizuar kurrfarë vrasje e as nuk kam marr pjesë në kurrfarë vrasje madje as nuk e kam parë vrasjen as unë dhe as fëmija sepse në momentin e vrasjes unë dhe fëmijët kemi qenë duke ikur..."

Gjatë vazhdimit të fjalimit, ai tha se pret vendim të drejtë të gjykatës ndërsa mohoi të ketë paguar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj. Murseli po ashtu tha se në momentin e likuidimit të saj, nuk ka qenë fare në veturë.

Murseli: Ju betohem nuk kam paguar për vrasjen

“Ju betohem që Naim Murseli nuk ka qenë fare në veturë në momentin e vrasjes, ju betohem Naim Murseli nuk ka pagur për vrajsen, kjo është e vërteta. Unë pa të drejta jam akuzuar, targetuar nga mediat nga kjo sallë por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ju do të vendosni fatin tim, fatin e fëmijëve të mi, ju vlerësoni provat vlerësoni gjendjen faktike dhe reale dhe nga ju pres vetëm një dënim të drejtë, pres nga ju që vërtetë të ketë drejtësi për Liriodonën, sepse kjo Liridona meriton drejtësi të plotë”

Murseli foli edhe rreth përmendjes së mëhershme të emrit të politikanit e biznesmenit Behgjet Pacolli në këtë proces gjyqësor. Për të tha se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt.

Murseli: Behgjet Pacolli nuk ka fare lidhje me këtë rast

Pastaj në këtë proces gjyqësor pa të drejt shumë herë disa herë është përmendur edhe Behgjet Pacolli i cili fare nuk ka lidhje me këtë rast dhe padrejtësisht iu është përmendur emri dhe kisha të nevojshme që të sqaroj se ndje keqardhje sa herë është përmendur emir i tij sepse është e pa drejt”, tha ai.

I akuzuari foli edhe për komunikimin më fëmijët e tij, për çfarë tha se ka dorëzuar si dëshmi një CD që paraqet komunikimin e tij me ta. Murseli tha se ai nuk flet me ta jo për shkak se ata nuk kanë dëshirë, por për faktin se ai ndodhet në qendrën e paraburgimit.

Vendim të drejtë nga trupi gjykues kërkoi edhe avokati i Murselit, Shemsedin Piraj i cili tha se mungon aj oqë njihet si “dashja direkte” në dispozitivin e aktakuzës, si element qenësor i fajit.

Prokurorja e këtij rasti, Javorka Perlinçeviq kërkoi burgim të përjetshëm për Murselin dhe dy të akuzuarit tjerë në këtë proces.

Një gjë të tillë e kërkoi edhe vëllai i viktimës, Leonardi bashkë me mbrojtësin e familjes së tij.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë. Ky rast fillimisht ishte raportuar si grabitje.

Aktgjykimi për këtë rast është caktuar më 21 prill nga ora 13:30, ndërkaq, të akuzuarit kanë hequr dorë nga e drejta për të qenë të pranishëm në atë seancë.

Mbrojtja e të akuzuarve kërkon vendim të drejtë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Mbrojtësit e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kanë paraqitur qëndrimet e tyre përfundimtare para gjykatës, duke kërkuar vendime të drejta dhe të bazuara në prova.

Avokati i të akuzuarit Naim Murseli, Shemsedin Piraj ka kërkuar dënim të drejtë për klientin e tij.

Piraj: Kërkojmë vendim të drejtë

“U kërkua një dënim jashtëzakonisht i ashpër, i cili qe paraparë mos paku 10 vjet apo dënimi i përjetshëm. Ata që merren me këtë punë e dinë më së mirë, juristët, prokurorët dhe gjyqësia. Unë kërkoj që çdo pretendim i të cilat janë ngritur, t'i vlerësoni dhe të merrni një vendim të drejtë”, tha ai.

Gjatë fjalës përfundimtare mbrojtësi i Naim Murselit tha se në këtë proces janë katër çështje kyçe.

Sipas tij, gjatë hetimeve është dashur të bëhet ekzaminimi i rrobave të Naim Murselit.

Piraj: Duhet të ishin marrë rrobat Naimit për hetim

“Thuhet që është shtirë me revole nga dritarja gjysma e hapur. Mirëpo, për ta vërtetuar edhe për ta hudhë versionin e Naimit, që ky nuk ka qenë prezent me rastin e privimit nga jeta, një veprim procedural shumë i fortë s'u kry. S'ka faj prokuroria. Këtu gjatë hetimeve u deshtë Naimit me ia marrë teshat. Teshat me ia marrë, me këqyr prezencën e grimcave të barutit me rastin e shkrepjes së revoles. Nëse do të vërtetohej prezenca e grimcave të revoles nga shkrepja e dytësoreve, do mbrojtja e Naimit është e kotë. Ky le të flet gjithë ditën. Prova flet diçka tjetër. Kjo s'u kry”, tha ai.

Pafajësinë për Granit Plavën kërkoi avokati i tij, Skënder Gojani, i cili tha se Prokuroria nuk ka prova.

Gojani: Granit Plava të shpallet i pafajshëm

“Duke u bazuar në mungesë të provave direkte, mungesë të provave forenzike, mungesë e identifikimit nga dëshmitarët, dhe fakti kryesor se as i akuzuari i parë nuk e identifikon Granitin si autor, mbrojtja i propozon kësaj gjykate që të pandehurin, Granit Plava, ta shpallë të pafajshëm për veprën penale vrasje e rëndë. Sepse në fund, drejtësia nuk është të dënojë dikë për shkak të peshës së rastit. Drejtësia është të mos e dënojë një person kur nuk ka prova. Sepse në të drejtën penale nuk dënohet për atë që dyshohet, por vetëm për atë që provohet. Dhe në këtë rast nuk është provuar”, tha ai.

Fjalën përfundimtare të avokatit të tij e mbështeti edhe Granit Plava.

Ndërsa, Ndrec Dodaj, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla kërkoi që vendimi të bazohet në provat e administruara.

Dodaj: Vendimi të bazohet në provat që janë administruar

“kërkojmë nga gjykata që vendimi të bazohet në provat që janë administruar, që janë vërtetuar. Kërkojmë nga gjykata që të mos lexojë SMS apo mediat se çfarë flasin. Sidomos disa portale, që i gjykojnë pa as një lloj gjykimi i marrin dhe i gjykojnë faktet, por vendimi të bëhet në bazë të provave. Sepse, për fat të keq, jemi në një presion shumë të madh”, tha ai.

Edhe i akuzuari, Kushtrim Kokalla u pajtua me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla që akuzohen për vrasjen e Liridona Ademaj kërkuan prokurorja Javorka Perkinçeviq, vëllai i të ndjerës Liridona, Leonard Ademaj dhe avokat i i familjes Ademaj. 

Vetë të akuzuarit zbardhën vrasjen e Liridona Ademajt

Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla në fjalën e tij përfundimtare tha se tre të akuzuari vetë e kanë zbardhur vrasjen e Liridona Ademaj.

Syla: Deklarimet argumentojnë fajin e të akuzuarve në tërësi

“Në secilën seancë aq më tepër vetëm është argumentuar ajo çfarë kemi thënë dhe se kjo do të zbardhet nga vetë të akuzuarit, qoftë duke tentuar ta fajësojnë njëri-tjetrin, apo duke u munduar të bashkëpunojnë kundër njëri-tjetrit, por që ka sjellë të njëjtin rezultat. Këtu duket që nëse në fillim kishte koordinim të mbrojtjes në tërësi, në fund mbrojtja e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës ju hakmorën Naim Murselit, duke tentuar t'ia lënë fajin vetëm atij por që nuk ka. Vërtetë deklarimet argumentojnë fajin e të akuzuarve në tërësi”, tha ai.

Ai për vrasjen e Liridona Ademaj kërkoi burgim të përjetshëm.

“Është argumentuar se bashkërisht, si krim i organizuar, duke punuar së bashku për një vit bashkë, e kanë organizuar këtë vrasje dhe që nëse për vrasje të tjera është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, si dënim maksimal, nuk kemi dënim më të madh, kështu që s'mund të themi burgim më pak se dënim me burgim të përjetshëm”, tha ai.

Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla tha se ky rast dallon nga të thera për shkak të planifikimit dhe përfshirjes së disa personave në ketë vrasje.

Syla: Kurrë s’kemi pas rast ku tre burra një vit planifikojnë me vrarë një grua

“Nuk ka pasur asnjëherë raste të ngjashëm ku ndryshe nga rastet e tjera ku në një nervozë momentale është vrarë një grua, veç kurrë s’kemi pas rast ku tre burra një vit planifikojnë me vrarë një grua e mandej mundohen të tre me u shfajësuar se kush, si, e qysh e ka bërë”, tha ai. 

“Na iku gjysma e jetës sonë”, vëllai i Liridona Ademajt me apel i fortë për drejtësi në gjykatë

Burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla ka kërkuar edhe Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës, Liridona Ademaj.

Ai në fjalën e tij përfundimtare sot të dhënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tha se çdo dënim tjetër e cenon e denigon motrën e tij tashmë të ndjerë Liridona Ademaj.

Ademaj: Ditën e vrasjes së Liridonës, iku edhe gjysma e shpirtit dhe e jetës sonë

“Ditën e vrasjes së Liridonës, me të iku edhe gjysma e shpirtit dhe e jetës sonë. Na ka mbetur edhe një gjysmë e jetës, të cilën e keni në duar ju ta vendosni, se a duhet të jetojmë me frikë apo duhet të ndihemi të sigurt në vendin tonë. Andaj, kërkojmë që dënimi të jetë me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e cenon, e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijen e popullit tonë për këtë krim makabër. Vetëm vuajtja e dënimit do të lehtëson sadopak”, tha ai.

Vëllai i Liridona Ademaj tha se një gjë është e qartë se Naim Murseli e ka organizuar këtë vrasje bashkë me Kushtrim Kokallën duke zgjedhur Granit Plavën si vrasës.

“Shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë se Naimi e ka organizuar këtë vrasje, së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës. Ne kemi parë dhe dëgjuar shumë gjëra këtu. Kemi qenë prezent të gjithë, kur në së paku 22 video-kamera janë kapur Naimi, Graniti dhe Kushtrimi. Ne kemi parë edhe përputhshmërinë e deklaratave të tyre, të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Nuk dua t'i citoj të gjitha, por disa nga ato po besoj duhen të citohen. Në deklaratat e dhëna, Kushtrimi thotë: Naimi më ka thënë një vit para që ta vras Liridonën.....Graniti thotë: Naimi më ka ofruar 30,000 euro për ekzekutim. Graniti thotë: sa herë jemi takuar me Naimin, Kushtrimi ka qenë prezent. Graniti thotë, Kushtrimin e kam shok të ngushtë. Naimi thotë ka kërkuar që Liridona me u vra gjithsesi. Graniti thotë: Naimi ka qenë i armatosur në momentin e vrasjes dhe më ka thënë 'gjuaj, gjuaj'. Graniti thotë: Naimi më ka jep instruksione se si duhet të shkojë plani i vrasjes. Dhe thotë se nëse e kapim policia, unë të nxjerr nga burgu sepse kam njohësi. Ndërsa Naimi deklaron kështu: Kam qenë keq mentalisht kur Liridona e ka kuptuar tradhtinë që unë ia kam bërë. Naimi thotë, Granitin nuk e njoh, Kushtrimi më ka njoftuar me të. Naimi thotë, me Kushtrimin kam qenë gjatë gjithë kohës sepse m'i ka ditur hallet e mia”, tha ai.

Ademaj tha se nga trupi gjykues nuk kërkojnë ngjalljen e motrës së tyre Liridona Ademaj por vetëm drejtësi.

Ademaj: Nuk kemi kërkuar ngjalljen e personave të vrarë, por kemi kërkuar drejtësi

“Që nga viti 2010 e deri në vitin 2026, janë vrarë 59 gra. Pra, për 16 vite janë vrarë 59 gra. Të gjitha këto familje që janë prekur nga kjo dukuri, e së fundmi edhe ne, asnjëra nga këto nuk kemi kërkuar ngjalljen e personave të vrarë. Por kemi kërkuar drejtësi, atë për të cilën edhe na takon”, tha ai.

Leonard Ademaj para trupit gjykues tha se pa Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën nuk do të ndodhte vrasja e Liridona Ademaj.

Ademaj: S’kema fillon kështu

“Kuptohet se kush e gjeti vrasësin dhe kush e organizoi krimin. Por këtu është më se e qartë se Naimi ka kërkuar me e vra Liridonën përmes Kushtrimit. Ky i fundit nuk pranoi ta rrezikojë veten direkt dhe e gjeti Granitin si vrasës. Pra skema fillon kështu. Pa Naimin, nuk ka Kushtrim. Pa Kushtrimin, nuk ka Granit, dhe pa Granitin, nuk do të kishte vrasje”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij përfundimtare vëllai i Liridona Ademaj tha se krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm që fëmijët e Liridonës dhe ata si familje të jenë sadopak të lehtësuar nga dhimbja.

Ademaj: Të japim mesazhe të qarta fëmijëve se drejtësia për nënën e tyre ka shkuar në vend.…

“Duhet ta dimë të gjithë se këtë proces në të ardhmen do ta shohin edhe fëmijët e Liridonës. Ata do të rriten me mallin për nënën e tyre. E në të njëjtën kohë do të kërkojnë drejtësi për të. Kur ta shohin këtë proces, do ta kuptojnë që nuk kanë nevojë të brengosen. Sepse dikush i drejtë e i ndërgjegjshëm atë drejtësi e ka dhënë në vendimin e gjykatës. Ne këtu duhet t'i japim mesazhe të qarta edhe atyre, se drejtësia për nënën e tyre ka shkuar në vend.… Pas më shumë se tetë muajve pas vrasjes së Liridonës, ishte takimi i parë që e kisha unë me ta, sepse nuk kishim qasje në shtetin suedez. Ne nuk e dinim se si e kanë përjetuar ata këtë vepër të babait të tyre. Pasi u takuam me fëmijët, mësuam se fëmijët ishin kundër babait të tyre dhe se sot kur po flasim, që po bëhen gati tre vite, akoma fëmijët nuk pranojnë të flasin me babanë e tyre. Krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm, që fëmijët e Liridonës dhe ne si familje të jemi sadopak të lehtësuar nga dhimbja që kemi përjetuar. Kështu besoj u jepet mundësia sa më shpejt të na bashkohen edhe fëmijët e Liridonës”, tha ai.

Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrajën e Liridona Ademaj ka kërkuar sot edhe prokurorja e rastit, Javorka Perlincceviq.

Mësohet data dhe ora e shpalljes së aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt

Drejtësia për vrasjen e Liridona Ademajt do të thotë fjalën e vet të martën e ardhshme. Shpallja e akrtgjykimit do të bëhet me 21 prill në orën 13:30.

Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, Naim Murseli, Plava dhe Kokalla.

Në anën tjetër të akuzuarit kanë mohuar çdo akuzë që i implikon ata në vrasjen e Ademajt.

Tre të akuzuarit nuk do të marrin pjesë në këtë seancë përfundimtare.

Avokati i Naim Murselit: Atij nuk i janë marrë teshat për me u vertetu që grimcat e barutit i janë kapur!

Avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj ka thënë se klientit të tij s’i janë marrë rrobat për t’u vëretuar nëse grimcat e barutit i janë kapur atij.

“Naimit nuk i janë marrë teshat për me u vertetu që grimcat e barutit i janë kapur” gjykata duhet t’i besojë dikujt, pasi ajo është privuar nga jeta.

Megjithatë, i takon gjykatës të vërtetojë të gjitha rrethanat e rastit. Është përmendur se në drejtim të saj është shtënë nga një dritare gjysmë e hapur, gjë që nuk është pranuar si version i saktë gjatë hetimeve të vrasjes. Në këtë kontekst, është thënë se do të duhej të ishin marrë edhe teshat e Naimit, pasi nëse do të vërtetoheshin shkrepjet e armës, situata do të paraqitej ndryshe.

Mënyra se si janë marrë teshat mbetet çështje e diskutueshme. Po ashtu, nëse do të kishte gjurmë bariti në rrobat e tij, situata do të ishte krejt ndryshe. Unë kurrë nuk e kam kontestuar faktin e vrasjes, por mendoj se kualifikimi juridik nuk është adekuat”, ka thënë Piraj.

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi: Kemi zgjedhur besimin në vend të zhgënjimit

Vëllai Lidirona Ademajt, Leonardi, në fjalën e tij gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorisë në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, ka thënë se për familjen e tij, kjo periudhë gati tre vjeçare, nuk ka qenë e lehtë.

Ai tha po ashtu se familja e tij ka zgjedhur guximin në vend të zhgënjimit.

“Janë bërë gati tre vite që nga vrasja e Liridonës. Më kujtohet si sot momenti i arrestimit të të akuzuarve, ose thënë ndryshe kriminelëve, të cilët natën vrajnë e ditën qajnë. Për ne si familje nuk ishte e lehtë kjo periudhë. Kemi zgjedhur besimin në vend të zhgënjimit”, tha mes tjerash Leonardi.

Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit. 

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën

Prokurorja e Shtetit, Javorka Perlinqeviq, në çështjen penale për vrasjen e Liridona Ademajt, ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Propozimi për shpalljen e tyre fajtorë, u dha në fjalën përfundimtare, të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria i propozon gjykatës që të sjellë aktgjykim dënues dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, duke i dënuar me burgim të përjetshëm” – tha prokurorja.

Gjatë fjalës përfundimtare, Perlinqeviq po ashtu tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, që paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët.

“Hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit bam” – prokurorja tregon çfarë ka thënë djali i madh i Liridona Ademajt në prani të psikologut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku pritet të jepen fjalët përfundimtare.

Në sallën e gjyqit, nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, janë futur të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Në seancë po merr pjesë edhe prokurorja Javorka Perlinçeviq, e cila e ka cilësuar vrasjen e Liridona Ademajt si “krim makabër”.

Gjatë fjalës së saj, ajo ka sjellë edhe deklarime që lidhen me fëmijët e viktimës, të dhëna gjatë një vizite të njërit prej djemve në Suedi, në prani të psikologes.

Sipas prokurores, djali i madh ka deklaruar, “Hajni i futi dorën dhe i bëri mamasë bam”.

Po ashtu, është theksuar se fëmijët refuzojnë thirrjet telefonike të mundësuara nga Qendra për Punë Sociale në Suedi për kontakt me Naim Murselin.

Prokurorja ka shtuar se Leonardi ka treguar se fëmijët dëshmojnë se si Naim Murseli e ka mbajtur Liridonën në njërin krah në momentin e ngjarjes. 

Nis seanca, fjala përfundimtare lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë arritur Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj.

Në seancën e sotme është paraparë paraqitja e fjalëve përfundimtarë të të gjitha palëve.

I pranishëm në seancë edhe vëllai i Liriona Ademaj, Leonardi bashkë me disa familjarë të tjerë.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat