Hapet rruga për Byronë shtetërore – Kuvendi miraton ligjin dhe dërgimin e FSK-së në Gazë

Aktuale

Hapet rruga për Byronë shtetërore – Kuvendi miraton ligjin dhe dërgimin e FSK-së në Gazë

Më: 17 prill 2026 Në ora: 08:27 Përditësuar në ora: 13:39 më 17.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Basha: Jemi në procedura për sanimin e rrëshqitjeve në autostradën “Ibrahim Rugova”

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, për një segment të autostradës “Ibrahim Rugova”, në pjesën mes Prizrenit dhe Suharekës ku qe një kohë të gjatë ka rrëshqitur dheu dhe lëvizja është kufizuar me vetëm një shirit.

Në këtë segment të autostradës ka pasë edhe aksidente me fatalitet, prandaj deputeti Gashi tha se kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë.

Ai tha se mungesa e investimeve në autostradë ka shkaktuar vështirësi për pjesëmarrësit në trafik duke shkaktuar edhe aksidente me pasoja fatale në këtë segment “çka e bën edhe më urgjente nevojën për ndërhyrje”.

“Pse nuk është ndërmarrë ende një ndërhyrje e plotë dhe e qëndrueshme për sanimin e rrëshqitjes së dheut në këtë segment të autostradës. A ekziston një plan konkret për rehabilitimin e kësaj pjese dhe kur pritet të fillojnë punimet, si dhe është bërë ndonjë vlerësim teknik për shkaqet e kësaj rrëshqitje të vazhdueshme që tash është problem për një kohë të gjatë në këtë pjesë të autostradës?”.

Në përgjigje të kësaj pyetje, ministri Basha tha se “është shqetësim jashtëzakonisht i madh edhe si kosto edhe si rrezik për qytetarët”, ndërsa vazhdoi të tregojë se ku qëndron procedura.

“Ka pasë zhvillime të shumta. Në fillim të 2024-ës ka nisë procedurat për prokurimin e hartimit të projektit për sanimin e rrëshqitjeve në autostradën “Ibrahim Rugova””, shpjegoi Basha.

Por, me këtë përgjigje s’u nda i kënaqur Gashi, i cili i kërkoi urgjencë për të ndërhyrë, ndërsa përmendi edhe përgjegjësinë penale për mirëmbajtësit e autostradës.

“E potencove disa herë që jemi në procedurë. Por, kjo çështja është urgjente meqë kemi aksidente me fatalitet në disa raste në këtë autostradë. Sigurisht që rrëshqitja është duke vazhduar dhe natyrisht që procedurat ashtu siç dihet të bëhen në disa raste urgjente dhe të shpejta sigurisht që duhet me qenë prioritet në këtë autostradë, që është nyja kryesore që lidh Kosovën edhe me portin. Prandaj, ndërhyrja duhet të jetë urgjente dhe s’duhet me pasë shumë justifikime në kuptimin që procedurat mund të vonojnë sepse rastet me fatalitet mund të kërkojnë përgjegjësi penale për mirëmbajtësit e autostradës”, tha Gashi.

Në këtë pjesë të autostradës dhjetorin e vitit të kaluar humbën jetën dy gra, shtetase të Shqipërisë, pasi me veturën e tyre u ndeshen me një kamion.

Zemaj ia rikthekson Qeverisë: Rregullojeni rrugën Pejë-Bjeshkët e Rugovës

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për rrugën Pejë-Bjeshkët e Rugovës. 

Ai tha se ajo rrugë është bërë vështirë e kalueshme, dhe po ndikon edhe në turizëm, përpos te qytetarët që jetojnë atje. 

“Ka disa vite që ajo rrugë është bërë vështirë e kalueshme, si për banorët, ashtu edhe për turistët.

Kërkoj urgjentisht që qeveria të ndërhyjë në këtë pjesë në rregullimin e rrugës”, tha ai mes tjerash.

​Deputeti i PDK-së: Kuvendi të ftojë për raportim kryetaren e Gjykatës Speciale

Kuvendi i Kosovës duhet ta ftojë për raportim kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, tha deputeti i PDK-së, Artan Behrami.

Ai nga foltorja e Kuvendit, në seancën e sotme theksoi nevojën për një gjë të tillë, siç tha pas shkeljeve dhe shqetësimeve të ekspertëve kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Dua të përshëndes qëndrimin dinjitoz të zëvendëskryeministrit, njëherësh ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, që e bëri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kërkoi që kjo gjykatë të raportojë në Kuvendin që e ka themeluar. Kur ministri i jashtëm i Kosovës e ngre këtë çështje në format më të larta ndërkombëtare, atëherë është detyrë e këtij Kuvendi që mos të heshtë.

Andaj Kuvendi duhet të kërkojë llogaridhënie nga BE-ja, shtetet financuese, sqarime institucionale nga EULEX-i dhe urgjentisht duhet të ndalojë raportimin në EULEX dhe UNMIK përmes rezolutës 1244.

Kjo gjendje hibride ku Kosova mban emrin dhe të tjerët mbajnë kontrollin nuk mund të vazhdojë. Ne si Kuvend duhet të ftojmë urgjentisht në raportim presidenten e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ombudspersonin e kësaj gjykate dhe pse jo edhe shefin e EULEX-it. Besoj se Komisioni për të Drejtat e Njeriut bashkë me Komisionin për Legjislacion mund të udhëheqin këtë proces”, tha ai. 

Projektligjet për energjinë nuk futen në rend dite

Dy projektligjet, ai për Energjinë, dhe për Energjinë Elektrike nuk kanë arritur të bëhen pjesë e rendit të ditës në seancën e sotme kuvendare, sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë asnjëri prej mocioneve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Projektligji për Energjinë mori 63 vota për e 47 kundër, ndërsa ai për Energjinë Elektrike kishte 63 për e 51 kundër, të pamjaftueshme për tu përfshirë si pika të rendit të ditës.

Para kësaj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ligjet për energjinë që po kundërshtohen nga deputetët opozitarë i kanë kaluar konsultimet publike më shumë se 16 muaj më herët e sipas saj, ka pasur kohë të mjaftueshme për tu analizuar të njëjtat.

Ajo ngriti shqetësimin se nëse këto dy ligje nuk kalojnë atëherë Kosova rrezikon t’i humb 9 milion euro nga Plani i Rritjes.

“Këto dy ligje janë kusht për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes. I kemi 9 milionë euro që i humbim nëse këto ligje nuk miratohen shumë shpejtë, dhe kjo nuk mjafton që të jetë fundi i qershorit, sepse për fund të qershorit i kemi edhe të gjitha aktet nënligjore të cilat duhet të miratohen. Ky ligj sjellë përmirësime të dukshme të cilat janë edhe nga përvojat e menaxhimit të krizës në vitet 2021-2022 dhe nga avancimi i kornizës ligjore që vjen nga direktivat e BE-së”, tha ndër të tjera ministrja..

Ajo tha gjithashtu se nëse nuk miratohen këto ligje, vështirësohet menaxhimi i krizës eventuale me energjinë.

“Ne  jemi tash në një situatë kur lufta në Iran po e përforcon dhe rritë pasigurinë në sektorin e energjisë dhe  ju me vetëdije nëse nuk mundësoni miratimin e këtyre ligjeve jeni duke na vështirësuar menaxhimin e krizës eventuale që mund të vijnë gjatë muajve e vitit në vijim. Është gënjeshtër të thuhet se në ndonjë mënyrë këto ligje  janë të dëmshme”, tha Rizvanolli .

Sa i përket Rregullatorit, ministrja tha se kompetencat e tij rriten në përputhje me direktivën e BE-së, ndërsa, sipas saj, asnjë vend në Evropë e botë nuk është kur transmisioni i raporton Kuvendit të Kosovës.

“Është bërë zgjidhje ‘sui generis’ në vitin 2026, sepse nuk keni ditur më shumë e nuk  jeni munduar të bëni më shumë, tash po e përmirësojmë më shumë”, tha ministrja Rizvanolli.

Sa i përket asteve, tha Rizvanolli të gjithë e dinë kush ka bartur asete dhe me çfarë çmimi.

 “E keni privatizuar për 26 milionë euro furnizimin së bashku me komplet rrjetin e distribucionit”, tha Rizvanolli derisa këto deklarime ngjallën reagime të deputetëve opozitarë.

Kryekuvendarja Albulena Haxhiu kërkoi nga deputetët që të respektojnë fjalën e ministres meqë ha se ajo po i përgjigjet vetëm deklarimeve që u ngritën në foltoren e Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala doli në foltore sërish, por kryetarja Albulena Haxhiu tha se ai nuk mund ta marrë fjalën pa iu dhënë atij.

“Ulu në vend deputet, të lutem, ulu në vend sepse nuk e merr fjalën pa ta dhënë atë, kjo punë u krye. Lexojë rregullore e punës së kuvendit dhe e sheh kush është përgjegjës për të dhënë fjalën në Kuvendin e Kosovës, uluni në vend kur ta jap fjalën e merrni, përndryshe nuk e merr fjalën. Kjo nuk ka të bëjë me inate, por në respekt të institucionit”.

Haxhiu në emër të grupit, fjalën ia dha kreut të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se fajet nëse mjetet humbin, janë vetëm të ministres që ligji nuk është proceduar me kohë.

“Ministre Kosova mund t’i humb paratë, por ti je fajtore për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë. Ju nuk e keni dhënë këtë mundësi pse nuk e keni sjellë para dy javë ose tri javë. Kush iu ka ndaluar meqë po thoni se ligji është bërë në vitin 2024, kush ju ka ndaluar ta sillni. Pse po e sillni tash në këtë mënyrë të përshpejtuar", tha Hamza.

Tahiri (AAK): Krenari dërgimi i FSK-së në Gaza, por shteti po i demotivon ushtarët

Besnik Tahiri, deputet i AAK-së, në seancën ku do të diskutohet për dërgimin e Ushtrisë së Kosovës në Gaza, ka thënë se ky veprim është krenari e madhe gjë e cila, sipas tij, po vërteton se Kosova mund të eksportojë paqe.

Megjithatë, ai pati kritika për qeverinë dhe institucionet tjera në lidhje me të drejtat e ushtarëve të FSK-së.

“Jam këtu për të adresuar një shqetësim serioz i cili po e demotivon ushtarin e ushtrisë sonë. Si ka mundësi që brenda ministrisë përkatëse, ministria të mos i kompensojë ushtarët tanë për orët shtesë, për beneficionet që i kanë, dhe një çështje e tillë të bëhet subjekt i trajtimit në gjykata? A e kuptoni që kjo është një ndër pozicionet më të vështira që dikush që është në uniformë, në mungesë të veprimit institucional, të mbrojtjes shtetërore, nga dikasteri që e ka detyrë, të detyrohet një ushtar ta kërkojë të drejtën e vet në gjykatë, e kjo qeveri të ndajë 65 milionë euro për rrogën e 13-të”, u shpreh Tahiri.

Ai bëri thirrje që kjo punë të merret seriozisht nga shteti.

Ndër të tjera, ai foli edhe çmimet e shportës së familjes, duke thënë se shteti nuk po merret fare me sektorin privat.

“Në baza ditore, si deputet, marr kërkesa dhe kërkojnë mbështetje për të bërë diçka për sektorin privat. Është padrejtësi total me marr një vendim i cili ka qenë zotim elektoral, dhe me një pullë me i çu te 80 mijë njerëz, që janë zyrtarë publikë të Kosovës, 65 milionë me të cilat kanë mujt me u ndërtu 2 stadione e shumë punë, e mos me pas asnjë kujdes të vetëm për punëtorët e sektorit privat”.

“Sot Kosovën e mbajnë dy burime thelbësore: taksat që vijnë nga njerëz që janë në punë në sektorin privat, dhe të hyrat që vijnë prej doganave dhe të hyrave tjera ekzakte që hyjnë në buxhetin e Kosovës”.

Ai kërkoi nga qeveria që të ndërmarrë veprime urgjente që të ndihmojë sektorin privat, dhe shtoi se ekonomia e Kosovës kurrë s’ka qenë më në rrezik.

“Dora e shtetit nuk është as te punëtorët në market, as te ata në ndërtimtari”, potencoi deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri. 

Lushaku: Qytetarët e Kosovës po vidhen tash e 6 vite, njehsorët nuk e masin saktë shpenzimin e energjisë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu në sallën plenare tha se njehsorët e energjisë elektrike në shtëpitë e qytetarëve të Kosovës nuk po e masin saktë shpenzimin e energjisë.

Lushaku tha se qytetarët e Kosovës po vidhen në sytë e shtetit pas neglizhencës së Qeverisë së Kosovës.

“Sot derisa ne po flasim këtu rreth 87% e shtëpive në Kosovë, po u vidhet energjia elektrike nga vet shteti në sytë e shtetit për mungesë dhe neglizhencë të Qeverisë për t’i kontrolluar dhe konstatuar që njehsorët tonë në shtëpitë tona nuk janë duke e matur shpenzimin e energjisë elektrike në mënyrë të saktë.

Ne tash e 6 vite jemi të vjedhur”, tha Lushaku.

Hamza: Kosova mund t’i humb paratë, por fajtorët jeni ju

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës tha se ligjet në legjislativ po sillen në mënyrë të përshpejtuar.

Hamza tha projektligji për energjinë mund të kishte ardhur në Kuvedin e Kosovës në mënyrë të rregulltë dhe jo në procedurë të përshpejtuar.

“Kosova mund t’i humb paratë, por fajtorët jeni ju, për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë. Për të debatuar për ligjin, është në përgjegjësinë e deputetëve të Kosovës. Pse nuk e keni sjellur para një muaji, kush u ka ndaluar. Ju po deklaroni që ligji është prej vitit 2024, atëherë e sjellni në procedurë të përshpejtuar si shumicën e ligjeve që po vijnë në këtë Kuvend.

Nëse dëshironi me i trafiku, me i kontrabandu ligjet, me cënu të drejtën e deputetëve për të diskutuar për të dhënë kontributin e tyre, kritikat, alternativat, propozimet është tjetër”, tha Hamza.

“Ulu në vend, s’ta jap fjalën”, përplasje mes Albulena Haxhiut dhe Ferat Shalës

Në Kuvendin e Kosovës ka patur një përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Ferat Shala dhe kryeparlamentares, Albulena Haxhiu.

“Nuk e merr ti fjalen pa ta dhënë unë. Kjo punë u kry.

Lexoje rregulloren e punës së Kuvendit dhe e sheh se kush është përgjegjës për me e dhënë fjalën.

Uluni në vend, kur ta jap fjalën unë, ti mundesh me e marrë” i është drejtuar Haxhiu deputetit Shala.

Opozita kundërshton ndryshimin e rendit të ditës

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur seancën me ngushëllime për rastin që ndodhi në Malishevë një ditë më parë ku kanë humbur jetën babai dhe dy fëmijët e tij.

“Shprehim ngushëllimet tona më të përzemërta dhe e ndajmë dhimbjen me familjen” tha drejtuesi  seancës, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola.

Ndërkohë me kërkesë të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu deputetët kanë nderuar me një minutë heshtje në përvjetorin e vrasjes nga forcat serbe viktimat e Poklekut.

Në vijim të seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka propozuar që dy pika t’i shtohen rendit të ditës, Projektligjin për Energjinë dhe projektligjin për Energjinë Elektrike, si pikë e gjashtë dhe e shtatë.

Ndërkohë, ajo propozoi që pika për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të vendoset si pikë e tetë.

Ferat Shala nga PDK kundërshtoi ndryshimin e rendit të ditës, duke thënë se këto dy projektligje po sillen në mënyrë të përshpejtuar. “Ne na sillet një paketë e ligjeve ku komplet baza juridike, ekonomike, organizative e sektorit centralizohet, jashtë çdo parimi etik në raport me kohën, tregun e punës, zhvillimet globale, por mbi të gjitha me interesin tonë nacional”, tha ai.

Edhe LDK nuk ka pranuar ndryshimin e rendit të ditës. “E kundërshtojmë absolutisht mënyrën e tillë të imponimit të ligjeve në seanca të rregullta, jashtë procedurave të rregullta. Prandaj ju lus ta përdorni autoritetin tuaj dhe të mos lejoni që në agjendë e në seancë të vijnë ligjet të pa trajtuara në mënyrë dhe me afate të rregullta”, tha Jehona Lushaku – Sadriu.

​Kuvendi sot vendos për FSK-në në Gaza

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancën e radhës.

Të zgjedhurit e popullit do të shqyrtojnë Projektligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifueshme, si dhe dërgimin e FSK-së në Gaza.

Seanca nis në orën 10:00.

Rendi i ditës

1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3. Pyetjet parlamentare,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

5. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë se Republikës se Kosovës nr.07/07, dt.30.03.2026 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza,

6. Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat