Maqedonci fton deputetët të votojnë pro dërgimit të trupave të FSK-së në Gaza

Aktuale

Maqedonci fton deputetët të votojnë pro dërgimit të trupave të FSK-së në Gaza

Më: 17 prill 2026 Në ora: 15:58
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin me votë dislokimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të një misioni ndërkombëtar paqeruajtës.

Maqedonci theksoi se pjesëmarrja e FSK-së në operacione të tilla jashtë vendit është një hap i rëndësishëm për forcimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së saj si partnere e sigurisë.

Sipas tij, angazhimi i ushtarëve kosovarë në misione ndërkombëtare kontribuon drejtpërdrejt në thellimin e bashkëpunimit me aleatët dhe rritjen e reputacionit të vendit në strukturat euroatlantike.

“Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, tha Maqedonci.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese.”

“Të gjitha operacionet e forcës ndërkombëtare stabilizuese do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare detyruese të zbatueshme, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, rregullat e angazhimit të forcës ndërkombëtare stabilizuese, si dhe marrëveshjet e zbatueshme për mbrojtjen e statusit dhe instrumente të tjera detyruese të zbatueshme. Ky angazhim është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza në mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare me fokus në siguri, stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe mbështetje të përpjekjeve humanitare.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë adresuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me pjesën përgatitore të dërgimit të kontingjentit, duke përfshirë përgatitjen e personelit, masat e sigurisë, rregullat e angazhimit, çështjet e sigurimit shëndetësor dhe sigurimit të jetës, pagesat për rrezikshmëri, si dhe mbështetjen financiare bazuar në ligjet dhe rregulloret.

Të nderuar deputetë, përmes këtij angazhimi Republika e Kosovës dëshmon se është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes së civilëve dhe zbatimit të mandateve ndërkombëtare. Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vendos Republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.”

“Kështu shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë anëtarët e komisionit, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në komision për mbështetjen e fuqishme dhe të unifikuar të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe strategjik për vendin tonë”, tha Maqedonci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat