Seanca e Kuvendit - Akuza të forta mes pozitës dhe opozitës, paralajmërohet viti më i vështirë për energjinë

Aktuale

Seanca e Kuvendit - Akuza të forta mes pozitës dhe opozitës, paralajmërohet viti më i vështirë për energjinë

Më: 21 prill 2026 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 19:58 më 21.04.2026
Albulena Haxhiu

Rizvanolli: Ky do të jetë viti më i vështirë në sektorin e energjisë

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka paralajmëruar se ky do të jetë viti më i vështirë për sektorin e energjisë elektrike, për shkak të investimeve të mëdha dhe sfidave të trashëguara në sistem.

Në fund të seancës për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, ajo ka thënë se periudha aktuale përbën sfidë për disa arsye.

“Ka qenë një periudhë e vështirë e sektorit të energjisë dhe kjo për shumë arsye, si ndërkombëtare, si të trashëgimisë si të sfidave ndërkombëtare”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka shtuar se janë duke u bërë investime të mëdha në sistem, të cilat do të ndikojnë përkohësisht në furnizim.

“Kemi bërë më të mirën e mundshme brenda kësaj periudhe dhe ky sigurisht se do të jetë një vit sfidues për sistemin duke qenë se janë duke u bërë investime të mëdha për çfarë blloqet do të jenë jashtë funksionit për kohë të caktuara për t’i realizuar këto investime. Mirepo e mira e kësaj është që ky do të jetë viti më i keq që do ta përjetojmë ndonjëherë dhe çdo vit pas këtij viti do të jetë më i mirë dhe furnizimi me energji elektrike do të jetë më i mirë”, është shprehur ajo. 

Burgim i përjetshëm për Murselin, deputeti Fatos Geci: Të njëjtin fat e pret edhe Hashim Thaçin

Nga: Bota sot

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e Naim Murselit, duke e cilësuar atë si një akt të rëndësishëm të drejtësisë.

Në një deklaratë publike, Geci tha se vendimi duhet të shihet si mesazh për respektimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Ai ka shtuar se të njëjtin fat do ta ketë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili po përballet me akuza në Dhomat e Specializuara në Hagë për krime lufte.

“Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli.

Dhe ju (duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së) që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përball Albin Kurtit”, tha Geci.

Statovci thotë se opozita ka siklet, nga pamundësia për të keqpërdorur me KEK-un

Deputetja nga radhët e LVV-së, Jeta Statovci, deklaroi sot se sektori i energjisë është më i cenuari prej vitesh.

“Kosova nuk është vend që i plotëson nevojat e veta energjetike. Varet nga furnizimi i jashtëm dhe ky furnizim ndryshon brenda afateve rekorde, sidomos në varësi të rrethanave globale” u shpreh ajo, në seancën e sotme të jashtëzakonshme.

Përpara deputetëve, Statvoci thotë se problemi në sektorin e energjisë është sistemik dhe kronologjik, teksa diskutimi për këtë sektor ka nisur qysh prej vitit 2005.

Sipas saj, projektet për avancimin e sektorit energjetik dështuan nga shkaqe të panjohura, teksa institucionet nuk ishin të audituara.

“Raportet tregojnë se nga viti 2007 deri në vitin 2017, KEK-u ka pasur mbi 10 mijë aktivitete të prokurimit publik me vlerë 1.3 miliardë euro, pa e rritur asnjë kapacitet prodhues dhe gjeneruar kapacitete shtesë energjetike” shtoi Statovci.

Tutje, ajo u shpreh se 10 kompanive iu jipeshin tenderët milionëshe.

“Befasisht, përveç që nuk u investua në rritjen e kapaciteteve prodhuese, kishte edhe kontrata interesante që lidheshin edhe për eksportin e energjisë nga asetet tona vendore, në kompanitë e huaja” deklaroi Statovci.

Sipas saj, opozita ka siklet nga pamundësia për të keqpërdorur me KEK-un.

​“Mos qofsha në lëkurën e tij”, Kërçeli replikon me opozitën

Në sallën plenare po vazhdon seanca e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për çmimet e energjisë elektrike.

Edhe pas pauzës, po vazhdojnë replikat mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të partive opozitare.

Fillimisht, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli tha se Prokuroria duhet të hetojë çdo pretendim të opozitës lidhur me energjinë.

Kërçeli: I lutem prokurorisë të hetojë çdo pretendim të opozitës

“Na keni akuzuar edhe për lidhje me NOA-n. I lutem prokurorisë të hetojë cdo pretendim të opozitës për lidhjet e kompanisë NOA me Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo, kishte me qenë shumë mirë të shikoni se kush ka nënshkruar kontratë për herë të parë me kompaninë NOA me 9 maj 2019, në mes të KEK-ut dhe kompanisë NOA. Do të ishte mirë ju vet deputetë të hulumtoni dhe të postoni në ato rrjetet e juaja sociale qysh po postoni të pavërteta. Qitash të tregoj krejt një nga një. Kontrata e dytë me NOA-n është nënshkruar më 11 tetor të vitit 2021, pikërisht nga një zyrtar i cili ka shërbyer në ZRrE, e i cili është votuar gjatë qeverisjes së LDK-së dhe është deleguar gjatë qeverisjes së LDK-së”, tha ai.

Tutje, në seancë të jashtëzakonshme, Kërçeli tha se LDK-ja është mirë të na tregojë se familjari i cilit deputet ka lidhje me pronarin e ETMT-së.

Kërçeli: Të na tregojë LDK-ja se familjari i cilit deputet ka lidhje me pronarin e ETMT-së

“Nga vitit 2008 deri në vitin 2013, 141 milionë euro kanë shkuar për Vukhamoviqin që po e përmend deputetja Ymeri, por nuk po kthehet në kronologji mbrapa se institucionet publike gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë blerë dhe nuk kanë bërë kurrfarë marrëveshje me kompanitë e Vukhamoviqit... Është mirë të na tregojë LDK-ja se familjari i cilit deputet ka lidhje familjare direkt me pronarin e ETMT-së. Këtë është mirë të na tregojë LDK-ja, sepse e kanë në grup parlamentar”, tha ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri tha se për këto pretendime i është drejtuar Prokurorisë Speciale.

Ymeri: Është mirë të konsultohet se çka është megavati, vati, se edhe ministren nuk e keni inxhiniere

“Është i njoftuar [deputeti Kërçeli] që kam qenë në Prokurori Speciale, ne nuk jemi me llafe të korridoreve, ne jemi institucionalistw. Edhe kjo e ka aktivizuar Prokurorinë Speciale për tw reaguar. Deputet Kërçeli qe unë po të tregojë diçka tjetër: unë nuk e kam hiç bezdi që t’i publikojë kontratat më herët se vitin 2020 se atëherë nuk ka pasur pavarësi energjetike. Është mirë bre me u konsultu se çka është megavati, çka është vati, se edhe ministren nuk e keni inxhiniere. Po ani nuk ka lidhje, nuk prish punë”, u shpreh ai.

Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli vazhdoi replikat me deputeten Ymeri.

Kërçeli-Ymerit: A e keni pyetur deputetët e LDK-së se kush e ka nënshkruar kontratën me Vuk Hamoviqin?

“Në fjalimin tim as nuk përmenda megavat, as gigavat, asnjërën prej këtyre dyjave që ju replikuat pa bazë sepse i keni mësuar veç disa terme përmendësh dhe tash po mundoheni të përvetësoni këtë temë. Veç një pyetje e kam për ty e nderuara deputete, a i keni pyetur kolegët e LDK-së kush e ka nënshkruar me Hamoviqin kontratën gjatë shpalljes së pavarësisë, a i ke pyet ndonjëherë. Pyeti të tregojnë se kush e ka filluar këtë bashkëpunim me Vuk Hamoviqin. Pikërisht LDK, zonja Bajrami besoj keni qaq memorie institucionale se keni qenë edhe ju në qeveri”, tha ai.

Këtu ka replikuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili i tha Kërçelit që po lexon fjalim që ia shkruar dikush tjetër.

Tahiri për Kërçelin: Mos qofsha në lëkurën e tij, ta lexojë një fjalim që ia kanë përgatitur

“Kriza energjetike ka filluar pikërisht prej kohës kur Albin Kurti është kryeministër i Kosovës. e shumë fatkeqësi për institucionet, për shtetin, për shoqërinë është që sfida dhe përkeqësimi i në situatën me energji elektrike ka shkuar vit pas viti duke u vështirësuar e duke u cenuar shumë e më shumë. Andaj mos qofsha në lëkurën e tij ta lexojë një fjalim që ja kanë përgatitur edhe të tentojë të mbrojë një skandal abuzues e korruptiv, një nga skandalet më të mëdha që nga paslufta që është skandali me energji elektrike”, përfundoi ai.

Këtu ka replikuar sërish deputeti i shumicës parlamentare, Ilir Kërçeli.

Kërçeli-Tahirit: Ka aftësi të përdor nja 30 fjalë pa nevojë në fjalim, si me i shkru me chat gpt

“E di që është vështirë ta kuptojë këtë fjalim zotëri Tahiri. Ai e ka një aftësi të përdor nja 30 fjalë pa nevojë gjatë fjalimit të tij, ta merr mendja që i ka shkruar me chat gpt, tjera herë koncentrohu dhe dëgjojë fjalimet mirë”, përfundoi ai. 

Tahiri: Duhet me pas kujdes për ta ruajtur frymën parlamentare

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas polemikave të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për rrymën.

Tahiri tha se Haxhiu është njeriu i fundit që mundet me i fol dikujt për gjuhë dhe veprime parlamentare, derisa ajo ka shkelur secilin akt të legjislativit sa ka qenë deputete. Madje ai përmendi edhe hedhjen e gazit dhe ofendimet që sipas tij ia ka bërë ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli.

Ai i kërkoi kryeparlamentares të mos provokojë, pasi herën tjetër nuk do të largohen nga foltorja.

Tahiri-Haxhiut pas polemikave me Haradinajn: Mos provoko se herën tjetër qëndrojmë në foltore

“Kryetarja e Kuvendit është njeriu i fundit që mundet me i fol dikujt për gjuhë dhe veprime parlamentare. Ajo ka shkelur secilin akt që duhet me shkel një deputet, duke filluar prej gazit dhe ofendimet më të mëdha që i kanë ndodhur ndonjë kryetari të Kuvendit, në këtë rast kryetarit Veseli. Duhet me pas shumë kujdes mos me provoku situata, për shkak se herën tjetër do të rrijmë në foltore dhe nuk do të largohemi. Duhet me pas kujdes për ta ruajtur frymën parlamentare”, tha ai.

Haxhiu dhe Haradinaj patën një polemikë në seancën e sotme, pasi kryetarja e Kuvendit disa herë i kërkoi shefit të AAK-së të ketë kujdes në gjuhën që përdor gjatë fjalimit të tij

“Energjia elektrike”, Kusari - Lila: Ftesa për këtë seancë erdhi pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila deklaroi se ftesa për seancë të jashtëzakonshme është bërë pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.

Ajo ka folur edhe për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit, për çka i ka reaguar deputeti i PDK-së, Arian Tahiri duke i thënë se me krenari po e promovon këtë privatizim.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për çmimin e energjisë elektrike, ministrja Kusari-Lila tha se opozita po e atakon atë duke u zhveshur vetën nga të gjitha përgjegjësitë.

Ftesa për këtë seancë erdhi pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, tha Kusari- Lila

“Është interesant se ftesa për këtë seancë të jashtëzakonshme vetëm pas njoftimit se dështuan në njëfarë forme diskutimet për zgjedhjen e presidentit. Disi edhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve e vendosët pas interesit se mos po arrijmë ndonjë marrëveshje e këtë e lamë pastaj. Kjo në esencë e tregon edhe njëfarë sinqeriteti në raport me temat që po doni me i diskutu. E mënyrën se si po shpreheni edhe faktet të cilat po i shtrembëroni në vazhdimësi, në veçanti nga ato që i dëgjova kur erdha këtu, duke u përfolur në vazhdimësi emri im, unë uroj që juve të ju bën me u ndje më lehtë fakti se e zhveshni vetën nga të gjitha përgjegjësitë e juaja të deritashme, ndërsa unë e mbaj të them kryqin e fajit në shpinë edhe e kam fajin për privatizimin, e kam fajin për koordinimin me Listën Serbe, e kam fajin për njehsorët, e kam fajin për çka do që ju bjen në mend përmendmani emrin. Hiç nuk është problem nëse juve ju bën të ndjehni më lehtë”, ka thënë ajo.

Ajo foli edhe për privatizimin e KEDS-it, për çka sipas saj ekziston dokumentacioni për çdo takim të grupit qeveritar.

Kusari-Lila: Aktakuza nuk ka të bëjë me procesin e distribucionit

“Sa i përket këtij vendimi për privatizim, ka filluar në qeverinë Thaçi 1, ka vazhduar në qeverinë Thaçi 2. Privatizimi ka qenë proces i cili është përcjellur me një marrëveshje me Bankën Botërore, më konkretisht me International Financial Cooperation që ka qenë këshilltar transaksioni. Nëse po ju intereson çfarë ka ndodhur në privatizim, ta dini se i gjithë dokumentacioni i secilit takim të grupit qeveritar është arkivë e cila është lehtësisht e qasshme. As edhe një takim edhe në aktakuzë pastaj që është bërë nga Prokuroria Speciale që është turp, nuk është referencë të ndonjë takimi të fshehtë, përfitimi material apo individi të caktuar që ka qenë në aktakuzë. Dhe aktakuza nuk ka të bëjë me procesin e distribucionit e ju shumë mirë, por zgjedhni me qenë gjysmë neglizhentë e gjysmë manipulativ për opinionin publik. Aktakuza ka qenë për katër hidrocentralet e vogla të cilat kanë mbetur me distribucionin dhe në fund është vërtetuar në dy shkallë që nuk ka pasur bazë”, theksoi ajo.

Për temën e privatizimit të KEDS-it ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili i tha Kusari-Lilës se me krenari po e promovon këtë proces.

Hajdari-Kusarit: Me krenari po e promovon procesin e privatizimit

“Paradoksi i fjalimit të ministres është që kjo me shumë krenari po e promovon procesin e privatizimit, përkatësisht KEDS-it. Tash pyetja logjike është: kauza kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit që edhe e ka kall Kosovën ka qenë kundër privatizimit, ndërkaq sot pas 26 vitesh del edhe me shumë krenari e promovon procesin e privatizimit edhe e konstaton si storje suksesi. Edhe unë pajtohem që është storje suksesi sepse si rezultat i privatizimit edhe asaj kontrate që janë investuar rreth 400 milionë euro janë eliminuar reduktimet që kanë qenë”, ka thënë ai.

Më pas i ka replikuar ministrja Kusari Lila e cila mohoi se e promovon këtë çështje si sukses.

Kusari-Lila: Procesi i distribucionit është promovuar si sukses i qeverisë Thaçi

“Zotëri Tahiri unë nuk thash me krenari, thash atë kohë ose atëbotë është promovuar si sukses i qeverisë Thaçi, pjesë e cilës ka qenë LDK dhe ju referova këtyre dhe ju thash që ju prapë ende keni në programin tuaj privatizimin”, u shpreh ajo. 

Tension në Kuvend, Haxhiu-Bajramit: Për çka po i afrohesh deputetit, ulu në vend

Në Kuvendin e Kosovës, ka ndodhur një përplasje mes deputetes së LDK-së, Hykmete Bajramit dhe atij të VV-së, Ejup Ahmeti.

Deputeti akuzoi Bajramin për afera korruptive duke thënë se “burri i saj ka një biznes farmaceutik”, për çka deputetja e kundërshtoi.

“Hajde dalim përpara, ato që t’i kom thonë t’i thom jashtë”, i tha Bajrami, Ahmetit.

Gjatë këtij debati ka ndërhyrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila i kërkoi deputetes së LDK-së të ulej në vend pasi e njëjta i shkoi afër Ahmetit.

“Këto sjellje janë të papranueshme, ulu në vend.  Je në seancë, është e papranueshme, deputete ulu në vend. S’ke nevojë as me i kërcënu e as me i sulmu, për çka i afrohesh atje deputetit”, tha Haxhiu.

Bajrami: Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë – vula e keqqeverisjes së VV-së

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka kritikuar ashpër menaxhimin e sektorit të energjisë elektrike në vend.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike, ajo e cilësoi këtë si shembull të keqqeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike është vula e keqqeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje  që 6 vite”.

“Ju keni ardhur në pushtet, i keni fituar zgjedhjet duke premtuar që keni me shtetëzuar distribucionin”, deklaroi mes tjerash Bajrami.

Musliu: Dinjiteti i qytetarëve me këtë qeveri ka rënë përtokë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se vendimet për rritjen e energjisë elektrike janë marrë pa transparencë të plotë.

Në seancën e jashtëzakonshme për çmimin e rrymës, Musliu tha se dinjiteti i qytetarit të Kosovës ka rënë përtokë në Qeverinë Kurti.

“U bë disa herë që po diskutojmë për këtë temë por pa rezultat. Dinjiteti i qytetarëve me këtë qeveri ka rënë përtokë. Sot në vendin tonë qytetari trajtohet vetëm teknikisht. Nëse për dikë këtu që është i veshur me pushtet energjia është statistikë e luks, për qytetarin është mbijetesë, është drita në shtëpi, është buka që gatuhet, është biznesi që mezi mbahet gjallë. Sot qytetari i Kosovës po përballet me padrejtësi të madhe, po paguan shumë më shumë pa e ditur pse”, u shpreh deputetja.

Haxhiu ia tërheq vërejtjen Haradinajt: Kujdes me gjuhën, mos e keqpërdor foltoren

Kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu ia ka tërhequr vërejtjen kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit ishte i ashpër me Qeverinë për sektorin e energjisë.

Pasi Haradinaj tha se Kurti është “kryehajn” dhe Mihali “kryehajneshë”, Haxhiu kërkoi nga deputeti të mos e keqpërdor foltoren e Kuvendit.

“Zotëri Haradinaj ju lutem të keni parasysh që të mos përdorni gjuhë të tilla në Kuvendin e Kosovës, mos mendo që e përforcon argumentin duke përdorur gjuhë jo parlamentare. Mos e keqpërdor këtë foltore të Kuvendit, është hera e fundit që ta tërheqi vërejtjen, nuk ke asnjë replikë me mua”, tha kryeparlamentarja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat